Ratko Mlladiq me Izudin Aliq në Srebrenicë në korrik 1995.

Apeli për Ratko Mlladiqin në mars 2020

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë e ka lënë për më 17 mars 2020 apelin e ish-liderit ushtarak serb të Bosnjës kundër dënimit të tij për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

 

Dhoma e apelit e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare e ka planifikuar apelin e Ratko Mlladiqit për në datën 17 mars të vitit të ardhshëm, pasi ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës apelon vendimin e shkallës së parë që e dënon atë me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm në nëntor 2017, duke e konsideruar atë fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe pengmarrje të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Mlladiq e apeloi vendimin, siç bëri edhe prokuroria e Hagës, e cila kërkon që ai të shpallet fajtor për gjenocid në gjashtë komuna të tjera në vitin 1992.

Prokurorët do të paraqesin apelin e tyre një ditë pas mbrojtjes së Mlladiqit, më 18 mars.

Ende nuk është caktuar një datë për vendimin përfundimtar, por Carmel Agius, presidenti i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, ka thënë se ai do të jepet deri në fund të vitit 2020.

Vendimi përfundimtar për Mlladiqin duhet të ishte dhënë më herët sesa kaq, por pas një kërkese nga mbrojtja, tre gjyqtarë u hoqën nga gjyqi i tij pasi Mlladiqi i akuzoi ata për njëanshmëri.

Më pas u emëruan gjyqtarë të rinj të cilët kanë nevojë për kohë për t’u njohur me çështjen.