VITI - 24.03.2020

Apeli i Komunës se Vitisë për ata që erdhën nga vendet e BE-së pas datës 1 mars 2020

Komuna e Vitisë dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare iu kanë bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që kanë ardhur së fundmi nga shtetet perëndimore të lajmërohen përmes telefonit në QKMF.

“Komuna e Vitisë në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe Këshillat e fshatrave është duke bërë identifikimin e vazhdueshëm të qytetarëve vitias që kanë ardhur nga shtetet e jashtme që nga 1 marsi”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Komunës së Vitisë dhe QKMF-së në Viti.

Ekipet e mjekësisë familjare janë duke vizituar familjet e ardhura, në mënyrë që të vlerësohet gjendja e tyre shëndetësore dhe t`u jepen këshilla për vetizolim, si dhe kur duhet të lajmërohen tek mjeku.

Megjithatë, mungojnë informatat e plota. Kështu që, në mënyrë që të evitohen problemet, është siguruar numri i telefonit 044 654 800, në QKMF, në të cilin personat e ardhur nga jashtë shtetit mund të thërrasin ekipet mjekësore në shtëpi për kontrollë dhe këshilla mjekësore.

“Bashkatdhetarë të dashur, duke ju dëshiruar qëndrim të këndshëm në familjet tuaja, kërkojmë bashkëpunimin tuaj në këtë kohë, në mënyrë që të mbrojmë shëndetin tuaj, familjarëve tuaj si dhe qytetarëve vitias. Qytetarë të Komunës së Vitisë, së bashku do ia dalim, sikur edhe më parë. Zbatoni rekomandimet komunale, ato të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP-së”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vitisë dhe QKMF-së Viti.

Më 20 mars mjekët dhe stafi shëndetësor në Viti i ishin nënshtruar testimit për coronavirus, pas kërkesës së tyre të vazhdueshme, por fatmirësisht kishin dalë negativ në Covid-19.

Kujtojmë se deri tani numri i rasteve me Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 61, ndërsa tri ditë më parë është shënuar edhe viktima e parë nga kjo pandemi në vendin tonë.

Rasti i parë me coronavirus në Kosovë ishte një 77-vjeçar nga Stublla e Vitisë, i cili kishte ardhur nga Italia.