Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anulohet konkursi për 20 postierë në Postën e Kosovës

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”, Xhevdet Smakiqi sot ka marrë vendim për anulimin e një konkursi që ishte zhvilluar si procedurë dhe pritej të pranoheshin 20 postierë.

Në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, përmendin edhe arsyet e anulimit të konkursit i cili mban numrin 01-90-1/21.

“Menaxhmenti ekzekutiv i Postës së Kosovës duke vepruar konform pikës 4 të vendimit të Qeverisë nr.02/39 të datës 03.06.2020 ka vendosur të anuloj konkursin publik si nevojë e domosdoshme edhe për shkak të gjendjes jo likuide financiare të Postës së Kosovës, për shkak të operimit në kushtet e pandemisë COVID-19 si dhe faktit se aksionari/qeveria përmes përfaqësuesve të saj, nuk kishte arritur të mbulonte humbjet nga Shërbimi Universal Postar ndaj Postës së Kosovës që janë mbi 4 milionë euro”, thuhet në vendim.

Konkursi ku ishin pranuar 20 postierë, e të cilët për pak ditë mund t’ia nisnin punës, ishte hapur më 15 janar të këtij viti.

Kohë më parë, Posta e Kosovës kishte hapur edhe një konkurs tjetër për 35 punëtorë, ndërsa së fundmi hapi edhe një konkurs të brendshëm.

Avansimet në Postë, hapet konkurs për katër pozita

www.kallxo.com