Ambasadori i ri i Kosovës në Gjermani i dorëzon letrat kredenciale Presidentit Steinmeier

Ambasadori i ri i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti i ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Republikës Gjermane, Frank-Walter Steinmeier.

Më këtë rast, Ajeti është akredituar si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Gjermani.

Lajmi është publikuar edhe nga faqja zyrtare e Ambasadës së Kosovës në Gjermani në Facebook.

Gjatë ceremonisë së akreditimit dhe audiencës Presidenti Steinmeier i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Ajeti, me rastin e fillimit të misionit diplomatik në Berlin.

“Gjatë ceremonisë së akreditimit dhe audiencës Presidenti Steinmeier i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Ajeti me rastin e fillimit të misionit diplomatik në Berlin, duke shprehur konsideratën e tij të lartë për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe duke vënë në pah mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën dhe përkushtimin e saj ndaj perspektivës euro-atlantike” thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Gjermani.

Po ashtu në komunikatë theksohet se Presidenti Steinmeier dhe ambasadori Ajeti diskutuan mundësitë e thellimit dhe avancimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.

“Kosova dhe Gjermania kanë marrëdhënie speciale dhe do të kenë miqësi të përhershme. Gjermania mbetet për Republikën e Kosovës një partner strategjik dhe aleat i dëshmuar historik i vendit dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Ajeti.

Faruk Ajeti është ambasadori i katërt i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë.