Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, Foto: Facebook

Ambasadori britanik: Është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht draft-statutin për Asociacionin

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë sot se tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ambasadori britanik thotë se aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për një Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE” – ka shkruar ambasadori në Facebook.

Ai po ashtu ka treguar se gjatë kësaj jave do të ketë shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, përfshirë edhe drejtorin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri, Albin Kurti më 3 maj ka publikuar ‘draft-versionin’ e tij për të për të rregulluar çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë, pasi që ka thënë se fundamentalisht nuk pajtohet me draftin e propozuar nga ekipi menaxhues.

“Sot, Ekipi menaxhues prezantoi draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ata janë jonfunksionalë tashmë. Unë fundamendalisht nuk pajtohem me draftin. Ai përfaqëson dëshirë për Republika Sërspka në Kosovë”, ka shkruar Kurti duke publikuar në fotografi vizionin e tij për implementimin e nenit 7 të Marrëveshjes bazë për “vetëmenaxhimin e komunitetit serb”- kishte shkruar Kurti në Twitter.

Draft versionin e Kurtit mund ta gjeni në këtë link.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, shkarkoi Ekipin Menaxhues të ngarkuar për hartimin e statutit.

Sipas Krasniqit, “ky ekip tashmë është vetë pa status”.

Ekipi përgjegjës për hartimin e Statutit të Asociacionit përbëhej nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq dhe Danijela Vujiqiq.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, këtë vendim e ka cilësuar si shkelje të frymës së marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se këso hapa duhet të ndërmirren vetëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” ka thënë Stano në disa përgjigje për KALLXO.com.

Formimi i Ekipit Menaxhues ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.