Ambasadori amerikan i fton në takim kryetarët e komunave të veriut

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka ftuar katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës në takim.

Ky takim, sipas kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci, pritet të mbahet në zyrat e Bashkimit Evropian në Prishtinë nesër nga ora 9:00.

“BE edhe ambasadori amerikan na kanë thirrë në një takim ne katër kryetarëve në Zyrën e BE-së” – ka thënë ai për KALLXO.com.

I pyetur nëse pritet që të fillojë ditën në ndërtesën e Komunës, kryetari ka thënë se në planin e tyre është që të fillojnë punën në mëngjes, ndoshta edhe para orës 8:00.

“Me ministrin kemi bisedu me vazhdu prapë planin, me vazhdu në objektet komunale, kemi bisedu diku para një ore e gjysmë” – tha Peci.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Izmir Zeqirin, kryetar i Zubin Potokut. Ai ka thënë se aktualisht është në një takim me kabinetin e tij.

Zeqiri gjithashtu ka konfirmuar çështjen e takimit të nesërm.

“Kemi ftesë urgjente të takohemi me ambasadorin amerikan dhe me BE” – tha tutje ai.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Lulzim Hetemi, kryetar i Leposaviqit, mirëpo deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Të dy kryetarët, Zeqiri e Peci, kanë thënë se nuk janë në dijeni për deklaratën e fundit të QUINT-it, në të cilën i është kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të reja për t’u qasur në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në deklaratë thuhet se veprime të reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e QUINT-it dhe të BE-së.

Vendet e QUINT-it thonë se janë të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it.