Policia e Kosovës në Zveçan, Foto:KALLXO.com, 26.05.2023

Ambasadori amerikan: E mbështesim Policinë që të kryej funksionet e saja në veri, por duhet të bëhen në mënyrën e duhur

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për Televizionin Klan Kosova ka folur lidhur me prezencën e Policisë në komunat veriore të vendit.

Sipas tij, policia duhet të kryej funksionet e saja në veri, por shtoi se duhet bërë në mënyrë të duhur.

“Ne besojmë fuqishëm që ka nevojë për njësite të specializuara të policisë me pajisje të specializuara që kryejnë detyra të specializuara si pjesë e veglave të Kosovës për zbatim të ligjit, por, gjithashtu besojmë se njësitet e specializuara me pajisje të specializuara duhet të rezervohen për detyra të specializuara që kërkojnë atë trajnim dhe ato pajisje” – ka thënë ambasadori amerikan.

I pyetur për qytetarët që kryejnë sulme në drejtim të Policisë e të KFOR-it, Hovenier tha se ka rrethana që njësitet e specializuara policore janë të kërkuara.

“Nuk do ta kundërshtoj këtë dhe pajtohem me këtë” – tha ai duke kujtuar që kanë dënuar këto sulme.

Tutje Hovenier tha se kanë dëgjuar nga serbët etnikë se komuniteti serb në Kosovë, posaçërisht në veri, është i shqetësuar me dërgimin dhe me disa mënyra se si njësitet e specializuara janë dërguar atje.

Ambasadori tha se e ndajnë këtë shqetësim.

Që nga 26 maji, qytetarët serbë në veri të vendit janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur dhe lënduar. Po ashtu u raportua edhe për dhjetëra protestues të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore përfunduan edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar disa herë gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Më 14 qershor 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga autoritetet serbe brenda territorit të Kosovës.

Një qëndrim tjetër për këtë rast pati Serbia. Nga ky vend u tha se policët nuk janë kidnapuar, por janë arrestuar brenda territorit serb.

Tre policët e Kosovës për 10 ditë u mbajtën në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë.

Gjykata e Lartë në Kralevë, më 16 qershor kishte marrë vendim për masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj policëve të Kosovës, mirëpo të njëjtëve më pas iu ndërpre paraburgimi më 26 qershor, e po të njëjtën ditën policët u kthyen në Kosovë.