Albin Kurti - Kryetar i LVV

Albin Kurti: Në qeverisjen time, prokurori do të jetë më i famshëm se unë

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në emisionin “New Bugajski Hour” u pyet për planin e tij për të pavarësuar gjyqësorin nga interesat politike.

Kurti deklaroi se në krye me të në ekzekutiv do të bëjnë një proces vetting-u për sektorin e sigurisë dhe të drejtësisë.

“Së pari ne do ta heqim trysninë e presionit nga dega ekzekutive në gjyqësi dhe prokurori. Ne do të bëjmë një proces vetting-u për sektorin e sigurisë dhe atij të drejtësisë. Pra, jo vetëm për prokurorë dhe gjyqtarë, por edhe për inteligjencën dhe policinë. Unë mendoj që s’duhet ta bëjmë këtë për të gjitha pozitat, por vetëm për pozitat udhëheqëse, pra për zyrtarët e lartë”, tha ai.

Sipas tij, prokurorët duhet të jenë më të famshëm se vetë kryeministri.

“Kemi nevojë për prokurorë që të bëhen shumë të famshëm në Kosovë. Unë mendoj që është me rëndësi që të kemi prokuror në Kosovë që është më i famshëm se kryeministri, kështu unë do të konsideroj që kam kryer detyrën time si kryeministër, kur të kem një prokuror më të famshëm se unë”, u shpreh ai.

Kujtojmë se lideri i VV-së gjatë tubimeve parazgjedhore ishte zotuar se do të kthejë në Kosovë ish-prokurorin Elez Blakajn, i cili ishte larguar për në ShBA në gusht të vitit të kaluar për shkak të kërcënimeve që, siç ka thënë, ka marrë në lidhje me punën e tij.

Elez Blakaj: Aleksandër Lumezi kërkoi llogari për intervistimin e Kadri Veselit