Zyrtari i Nismës që kërcënoi Albin Kurtin kthehet në burg

Ish-kandidati për deputet i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, i cili javë më parë kishte kërcënuar kreun e LVV-së Albin Kurtin, është kthyer në qelinë e burgut.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Është aprovuar ankesa e Prokurorisë pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Të pandehurit në fjalë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, duke u llogaritur nga dita e arrestimit”, ka deklaruar Jashari.

Javën që shkoi, Gjykata Themelore kishte marrë vendim që që ai të lirohet, ndërsa si masë vendosi që Haxhi Hoti mos t’i afrohet Albin Kurtit në një distancë prej 500 metrave.

Ai ishte arrestuar më 28 dhjetor 2019, nga Policia e Kosovës, pasi përmes një postimi në Facebook, kishte thënë se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet, pasi sipas tij, nuk është interes i Kosovës që të jetë kryeministër.

Pasi mediat filluan të raportonin, Hoti e kishte fshirë postimin në profilin e tij në Facebook, madje edhe kishte kërkuar falje.

Ndërsa, vetë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, përmes Facebook, kërkoi që ai të lirohet për të festuar festat e fundvitit në shtëpi.

“Janë organet e sigurisë që e vlerësojnë këto gjëra, mirëpo ashtu siç nuk jam unë John Kennedy, nuk është as Haxhi Hoti Lee Harvey Oswald. Prandaj nuk mendoj që është ndonjë gjë alarmante”, kishte thënë Albin Kurti.