Alban Hyseni pas vërshimeve në Gjilan – Mos i hidhni mbeturinat në lumenj
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka reaguar pas vërshimeve që kanë ndodhur në rajonin që ai drejton.
Hyseni u ka bërë thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturina në lumenj, pasi sipas tij po bllokohet rrjedha e ujit të lumenjve.
“Ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në shtretërit e lumenjve dhe hapësira publike, si pasojë e të cilave po bllokohet rrjedha e ujit të lumenjve” – ka shkruar Hyseni në Facebook.
I pari i komunës së Gjilanit thotë se pavarësisht masave preventive për parandalim të vërshimeve, për shkak të reshjeve dhe bllokimit të lumit nga mbeturinat, dje ka pasur dalje të ujit nga shtrati i lumit.
“Pavarësisht masave preventive të ndërmarra në parandalimin e vërshimeve, për shkak të reshjeve të mëdha dhe bllokimit te shtratit të lumit nga mbeturinat, dje kemi pasur dalje të ujit nga shtrati i lumit Stanishor në disa lokalitete, ku uji ka depërtuar edhe në oborret e disa shtëpive dhe bodrumet e tyre”- është shprehur ai.
Hyseni gjithashtu bëri të ditur se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ekipi i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit kanë dalë në zonat e prekura nga vërshimet për të bërë pastrimin nga mbeturinat.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ekipi i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, që nga orët e hershme të mëngjesit kanë dalë në zonat të cilat janë prekur nga vërshimet dhe kanë intervenuar në pastrimin e disa pikave nga mbeturinat. Me të marrë lajmin, kemi aktivizuar komisionin për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe ata janë në proces të shqyrtimit të dëmeve të shkaktuara”- ka thënë Hyseni.