Shpresa Loshaj

Aktivistja e shoqërisë civile kërcënohet me padi nga avokatët për betejën kundër hidrocentraleve në bjeshkët e Deçanit

Përfaqësuesja e organizatës joqeveritare “Pishtarët” në Deçan, Shpresa Loshaj, thotë se është “kërcënuar” nga avokatët e kompanisë Kelkos Energy, Arianit Koci dhe Granit Vokshi.

Sipas njoftimit të anëtarit të shoqërisë civile, Adem Lushaj, kjo ka ndodhur pas kërkesës së Organizatës Joqeveritare “Pishtarët”, të përfaqësuar nga Shpresa Loshaj, e cila ishte drejtuar kah Organizatat Joqeveritare të Kosovës, që të vihen në përkrahje të saj, për kërkim të ligjshmërisë së hidrocentraleve në Deçan.

“Një kërkesë e tillë, i paska nxitur avokatët Arianit Koci dhe avokatin Granit Vokshi, si të autorizuar të Kelkos Energy, që t’i drejtohen me një shkresë “kërcënuese” për zonjën Loshaj, sipas të cilëve, Loshaj paska “zhvilluar fushatë shpifëse ndaj Kelkos Energy”. Këta dy avokatë, në vend se të vihen në mbrojtje të resursit natyror Lumbardhit të Deçanit dhe ligjshmërisë, paskan vendosë që ta padisin Loshaj për “shpifje”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, avokatët kanë “kërcënuar” edhe organizata tjera joqeveritare, në rast që shpërndajnë këto “shpifje të Loshaj”.

“Bazuar në këtë i porosis këta dy avokatë që të ngrisin padi ndaj meje, ngase kam përkrahur këtë kërkesë të zonjës Loshaj dhe do “shpifi” kundër shkatërrimit të Grykës së Deçanit, këtë rast edhe të Lumbardhit, shkatërrim i bërë nga Kelkos Energy apo kushdo që qëndron prapa ndërtimit të hidrocentraleve në Deçan”, thuhet në njoftimin e Lushajt.

Tutje në letrën e dërguar Shpresa Loshajt nga avokatët Koci dhe Vokshi  thuhet se “kohët e fundit, Kelkos Energy ka qenë dëshmitar i një fushate shpifëse nga ana juaj, si themeluese e Organizatës Joqeveritare “Pishtarët”.

“Prandaj, në emër dhe llogari të Kelkos Energy, kemi parashtruar padinë Nr. C-380/20 para Gjykatës Themelore në Pejë – Dega e Deçanit, për këto deklarata shpifëse – për çka do të njoftoheni sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e avokatëve drejtuar Shpresa Loshajt.

Tutje në njoftim thuhet se në emailin e dërguar nga Shpresa Loshaj të cilë e ka drejtuar tek një numër i anëtarëve të Shoqërisë Civile të Kosovës, sipas avokatëve, Loshaj ka përsëritur akuzat të pavërteta dhe shpifje ndaj klientëve tanë publikisht. Këto deklarata përmbajnë një fjalor të ashpër, duke implikuar sjellje të gabuara dhe të llojit kriminal të klientëve të tyre, e që kjo nga ana e tyre kundërshtohet ashpër.

Në kërkesën e avokatëve thuhet që deri të premtën deri në orën 20:00, Loshaj të tërhiqet sipas tyre nga shpifjet e saj.

“Me anë të kësaj shkrese, kërkojmë nga ju, që deri të premten, me datë 26 qershor 2020, më së voni në ora 20:00, të tërhiqni të gjitha shpifjet tuaja më poshtë dhe akuzat e rreme kundër klientëve tanë, drejtuar të gjithë të adresuarve të emailit tuaj më poshtë, me shkrim. Nëse dështoni ta bëni këtë, procesi gjyqësor ekzistues do të zgjerohet menjëherë, për të përfshirë pretendimet e lartpërmendura të dërguara në Ministrinë Federale Austriake për çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Ambasadën Austriake në Kosovë dhe anëtarët e Shoqërisë Civile të Kosovës”, thuhet në kërkesën e avokatëve.

Sipas tyre, Kelkos Energy do të mbajë të njëjtën qasje ligjore ndaj secilit individ që shpërndan informacion me përmbajtje të rreme – me qëllim të dëmtimit të reputacionit të saj si ndërmarrje.

“Nga ju kërkohet që të ndërpritni prirjet tuaja shpifëse dhe t’i kërkoni falje Kelkos Energy në një deklaratë me shkrim, për shkaktimin e dëmeve të pariparueshme të reputacionit të saj. Përndryshe, klienti ynë do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të ruajtur statusin e tij si një investitor i respektuar dhe një kontribues i shkëlqyeshëm për mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në kërkesën e avokatëve.

KALLXO,com në lidhje me këtë shkresë ka kontaktuar me avokatin Arianit Koci, sipas të cilit ka thënë se shkresa është dërguar me kërkesë të Kelkos Energy.

“Me kërkesë të kompanisë të cilën e përfaqësojmë, i’a kemi drejtuar një personi tjetër qëndrimin e klientit tonë lidhur me disa deklarata të cilat i njejti i konsideron si të pavërteta e rrjedhimisht shpifëse. Pra, klienti i ynë e ka dërguar këtë shkresë përmes neve si avokatë”, ka thënë Koci për KALLXO.com.

Ai tutje ka shtuar se ata kanë komunikuar në emër të klientit duke ruajtur nivelin profesional.

“Ashtu siç mund të kuptohet nga letra e dërguar, ne kemi komunikuar në emër të klientit duke e e ruajtur nivelin profesional, e gjithmonë duke vepruar në përputhje me kërkesat ligjore që rrjedhin nga Ligji Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes- i cili kërkon që para parashtrimit apo zgjerimit të padisë,,një person që pretendohet të jetë i dëmtuar duhet të ndërmarrë të gjitha masat e arsyeshme, për të zbutur çdo dëm të shkaktuar nga shprehja e pavërtetë”, thënë Koci.

Sipas Kocit, klienti i tyre, Kelkos Energy,  bazuar në këtë ligj ka të drejtë që para parashtrimit apo zgjërimit të padisë të dërgojë një shkresë të tillë me kërkesë për të minimizuar dëmin.

“Sidqoftë, ne vetëm kemi kryer punën e avokatit që na takon me ligj dhe me kodin e etikës së avokatëve”, ka thënë Koci për KALLXO.com

Në kërkesën e Shpresa Loshajt drejtuar shoqerisë civile kërkohet mbështetje në kërkim të ligjshmërisë së hidrocentraleve në Deçan.

“Organizata jonë “Pishtarēt” ka një kohë të gjatë që është duke punuar në adresim të problemeve të krijuara nga ndërtimi i hidrocentraleve në zonën e mbrojtur të Bjeshkëve të Nemuna-Grykë të Decanit nga kompania Austriake Kelkos Energji Sh.P.k. Me punë intensive, ne kemi gjetur se institucionet tona vazhdimisht janë duke bërë shkelje të rënda ligjore që të akomodohet Kelkosi që tash e sa vite po prodhon energji elektrike pa e marrë lejen mjedisore”, ka shkruar Loshaj.

Sipas Loshajt, këto çështje janë adresuar nga ana e tyre tek institucionet relevante, ku janë shkruar letra, jemi zhvilluar takime me zyrtarë të Ministrisë së Ambientit me Zyrën e Rregullatorit për Energji, me Avokatin e Popullit dhe zyrtarë te komunës së Deçanit dhe Pejës.

“Në çdo takim, është pranuar nga zyrtarët se ka shkelje ligjore nga institucionet që ata përfaqësojnë, mirëpo deri më tani as Komuna, as Minsitria e as ZRrE nuk kanë ndërmarrë veprime ndaluese. Si duket asnjë ligj dhe asnjë proces demokratik nuk mund të dalë përballë përfitimeve të Kelkosit. Banorët e ndikuar nga këto hidrocentrale kanë frikë të ngrisin zërin dhe të paktën të pyesin çka po ndodhë me lumin e tyre sepse liderët përgjegjës po heshtin publikisht dhe fatkeqsisht kjo heshtje publike e ka mbuluar Deçanin dhe demokracinë tone”, thuhet në kërkesën e Loshajt.

Tutje në kërkesën e Loshajt thuhet se organizata e saj po i drejtohet Ambasadës së Austrisë në Kosovë, Ministrisë së punëve të jashtme të Austrisë dhe zyres së BE-së në Kosovë që të kërkojnë nga to llogaridhënie pasi sipas saj KELKOS-i është pjesërisht në mënyrë indirekte në pronë të Qeverisë së Austrisë dhe për më teper, Ambasada e Austrisë në Kosovë ka lobuar në mbështetje të Kelkosit.

“Në mënyrë që zëri ynë të jetë më i fuqishëm dhe që të ruajme ata pak ujë që ka mbetur për banorët e Deçanit, ne na nevoitet ndihma e juaj. Ju lutemi që të na përkrahni në këtë iniciativë duke na u bashkangjitur me një email konfirmues deri te Premten (26 Qeshor) në ora 16:00”, thuhet në kërkesën e Loshajt.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.