Aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve për keqpërdorim të detyrës për testet e patentë-shoferëve

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave me inicialet A.R., L.G., D.T., A.A. dhe F.T. për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Të pandehurit e lartëcekur po akuzohen se në cilësi të personit zyrtar kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare në testet për patentë-shoferë në qytetin e Pejës dhe Deçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.R. në mënyrë të vazhdueshme nga data 18.07.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 22.09.2022, në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar – ekzaminerit, ka ndihmuar disa kandidatë me rastin e testimit teorik për patentë-shoferë, duke u treguar pyetjet e sakta, ashtu që të njëjtit kanë arritur që ta kalojnë testin teorik dhe të fitojnë kushtin për pjesën praktike.

Ndërsa, i  pandehuri L.G. sipas aktakuzës, me datën 18.07.2022 në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar – asistent administrativë në njësinë për patentë-shoferë në Pejë, pasi një kandidat bie disa herë nga provimi për patentë shofer, i mundëson paraqitjen e provimit pa kryer fletëpagesën, përkatësisht duke shfrytëzuar fletëpagesën e provimit të kaluar për të cilën i ishte nënshtruar njëherë dhe më pas kandidati të njëjtën ditë kur e paraqet provimin, futet në të dhe e kalon testin teorik, duke fituar kushtin për t’iu nënshtruar pjesës praktik.

Tutje, sipas aktakuzës të pandehurit D.T., A.A. dhe F.T., nga data 06.01.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 13.09.2022 në Deçan, si zyrtar të një auto-shkolle, përkatësisht instruktor profesional të licencuar, i plotësojnë disa kandidatëve librezën e orëve kinse të kryera, ani pse kandidatët nuk kanë qenë fare në Kosovë atë kohë dhe në këtë mënyrë të njëjtit më pas i nënshtrohen provimit për patentë-shoferë.

Prokurori i rastit me rastin e ngritjes së aktakuzës përpos që ka kërkuar dënimin e të pandehurve, ka propozuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.