Aksioni i Policisë në Dukagjin: Fillon shkatërrimi i plantacioneve të kanabis

Një operacion i gjerë i bastisjeve ka nisur sot në mëngjes në rajonin e Dukagjinit. Ku cak i këtyre bastisjeve janë një grup i dyshuar për kontrabandat të drogës dhe armëve.

Aksioni është duke u zhvilluar në komunat Pejë, Klinë, Istog, Skenderaj dhe Mitrovicë.

Në fshatin Drenje të Istogut, Policia ka identifikuar një plantacion të mbjellë me bimë narkotike.

 

KALLXO.com mëson se ka filluar shkatërrimi i këtyre bimëve dhe se për këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Aksioni është duke u udhëhequr nga prokurorja e Pejës, Lumtirije Vuçeta.

KALLXO.com mëson se aksioni ka nisur nën dyshimet për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe dyshimet se personat e dyshuar po ashtu merren me import dhe shitje te armeve.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.

“Prokuroria Themelore në Pejë, është duke zhvilluar sot një aksion në 5 komuna dhe janë duke u bastisur 13 lokacione ku dhe është siguruar vendi i ngjarjes ku dyshohet se ka plantacion të kanabisit, deri me tani janë sekuestruar edhe armë, vlera të parave dhe gjë sende tjera të dyshuara” – ka thënë Nikqi.

Operacioni është duke u mbështetur edhe nga njësitë speciale.