Foto: KALLXO.com

Lejet e ndërtimit në rajonin e Dukagjinit: 6 zyrtarëve të Klinës, Deçanit dhe Istogut i caktohet arresti shtëpiak

KALLXO.com merr vesh që gjashtë zyrtarëve të Komunës së Klinës, Deçanit dhe Istogut i është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata e Pejës. Nga katër zyrtarët e dyshuar të Komunës së Istogut vetëm Elfete Blakaj është liruar.

Ndërsa sipas burimeve të KALLXO.com, vendimi ende nuk është marrë për zyrtarët e Komunës së Pejës.

Të ndarë në katër grupe nën menaxhimin e dy gjyqtarëve dhe praninë e katër prokurorëve, dhjetë zyrtarët e komunave të rajonit të Dukagjinit janë paraqitur sot para gjykatës.

Këto kërkesa të prokurorisë për paraburgim u kundërshtuan nga të gjithë avokatët mbrojtës, të cilët kërkuan nga gjykata që të caktojë masa të tjera më të buta për sigurinë e pranisë së tyre në procedurë.

Madje për disa prej të dyshuarve avokatët propozuan që të shqiptohet masa e dorëzanisë, e cila nënkupton lënien e parave si garanci për sigurinë e pranisë së tyre.

Dyshimet për përfshirje në afera korruptive

Katër drejtoret e urbanizmit në zonën e dukagjinit po dyshohen se e kishin keqpërdoruar detyrën e tyre gjatë këtij mandati. Përpos keqpërdorimeve disa nga ta po dyshohen edhe për konflikt të interesit.

Për këto dyshime në Pejë të prangosur përfunduan drejtori Rajan Arapi dhe zyrtaret Florije Berisha dhe Bajram Muslijaj.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar KALLXO.com, drejtori i urbanizmit dyshohet se kishte blerë banesë nga kompania  “Dukagjini” të cilës i kishte lëshuar leje për mbi ndërtim edhe pse një leje e tillë nuk parashihet në ligjin për ndërtimet.

Lejet ndërtimore të lëshuara për mbindërtim sipas prokurorisë nuk parashihen në ligjin për ndërtim dhe se janë lëshuar në bazë të planit zhvillimor komunal Peja 2020 – 2028, plan i cili akoma nuk është aprovuar nga Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Përpos lejes për kompaninë Dukagjini, dyshimet për keqpërdorim shfaqen edhe për lëshimin e lejes ndërtimore për kompaninë “ART Com” për ndërtimin e objekteve banesore.

Dyshimet për keqpërdorim sipas prokurorisë paraqiten në momentin kur kompania “ART COM” merr leje për ndërtimin me etazhitet 2B+P+6K ndonëse me planin zhvillimor urban për zonën në fjalë parashihej etazhiteti maksimal P+5K.

Përpos kompanive “Dukagjini” dhe “Art Com”, drejtori i urbanizmit dyshohet se ka keqpërdor pozitën e tij edhe në kohën kur ka lëshuar lejet për kompaninë “El production Sh.P.K”.

Leje ndërtimore për mbi ndërtim dyshohet se në kundërshtim me ligjin kishte lëshuar edhe drejtori i urbanizmit në Klinë, Lorenc Marleku.

Sipas prokurorisë leje të tilla nuk parashihen me Ligjin për Ndërtim dhe ato në Klinë janë lëshuar në bazë të Planit Zhvillimor Komunal Klina, plan ky që është aprovuar më 2021, e për të cilin plan nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk i ka aprovuar Hartat Zonale.

Dyshime të ngjashme rëndojnë edhe mbi drejtoret Ramë Melaj, Jashar Blakaj dhe Lorenc Marleku.

Sipas prokurorisë drejtori Melaj kishte lëshuar lejen për ndërtim në bjeshkën e Belegut edhe pse kjo pjesë është në Parkun Kombëtar i cili është pjesë e mbrojtur.

Ai dyshohet se e kishte keqpërdor pozitën edhe kur kishte dhënë lejen për implementimin e projektit “Via Ferrata – Deçan”, në zonën e grykës së Deçanit si dhe për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e restorantit në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar.

Sipas prokurorisë nuk mund të lëshohen lejet ndërtimore në këtë zonë pa u miratuar plani hapësinor i zonës së veçante nga Kuvendi i Kosovës.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare dyshohet edhe drejtori i urbanizmit në Istog, Jashar Blakaj.

Sipas prokurorisë ai bashkë me zyrtarët e tjerë të kësaj komune e kanë keqpërdorur pozitën e tyre pasi kanë dhënë leje ndërtimore për ndërtimin e banesave në kate me të larta se sa parashihej për atë zonë.

Madje ndërtues ishte kompania e djalit të njërit nga zyrtarët e urbanizmit të kësaj komune.