Disa vendbanime në Prizren u vërshuan pas të reshurave të shumta

Nga të reshurat e shiut gjatë ditëve të fundit ka pasur vërshime edhe në Komunën e Prizrenit. 

Sipas raportit të Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në këtë komunë zonat më të prekura kanë qenë në PiranëZojzKrajkBregdri dhe Romajë ku uji ka vërshuar disa podrume të shtëpive dhe fermave të bagëtive.  

Sipas kryetarit të kësaj komune, Mytaher Haskuka, në Lubizhdë të Prizrenit ujit ka dalë mbi shtratin e vet dhe ka rrezikuar disa fabrika që gjenden përreth magjistrales Prizren – Suharekë. 

“Përkundër punës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike që në muajt e fundit kanë punuar në hapjen e pusetave dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të kanalizimit, dje është vërejtur që rrjeti i kanalizimit atmosferik ka qenë i pamjaftueshëm dhe në lagjet Bazhdarhane, Jeta e Re dhe Bajram Curr ka pasur bllokime të rrjetit të kanalizimeve, dhe në këto lagje është intervenuar përmes kompanive Hidroregjioni Jugor, Eko Regjoni, dhe brigadën e Zjarrfikësve të Prizrenit si dhe kompanitë private të kontraktuara nga komuna. Me këto intervenime në një pjesë të këtyre lokacione janë zhbllokuar kanalizimet dhe është siguruar qarkullim i lirë i ujit”, ka shkruar Haskuka. 

Sipas Haskukës, nga analizat e mëparshme të vërshimeve ekspertët kanë potencuar problemin e ndërtimeve në rrjedha të lumenjve, gjersa në luginën e Drinit të Bardhë një problem shtesë paraqesin edhe operatorët që esploatojnë zall nga shtrati i lumit.  

“Tanimë këto vërshime që janë duke ndodhë disa herë në vit janë duke vërtetuar që efektet e ndryshimeve klimatike tanimë janë realitet dhe duhet të punojmë në afatgjatë për tu përgatitur në aspektin infrastrukturor dhe zhvillimor. Komuna e Prizrenit është komuna e parë që në bashkëpunim me UNDP është duke implementuar strategjinë për ndryshimet klimatike me shumë aktivitete të cilat do të vazhdojnë me Zyrën për Zhvillim të Gjelbër”, thuhet më tej në publikimin e Haskukës. 

Pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës ka pasur vërshime në dy ditët e fundit. Situata më e rënduar është në Rajonin e Dukagjinit pas rritjes së nivelit të ujit në Drinin e Bardhë 

Edhe në Komunën e Gjakovës, disa familje janë evakuuar dhe po qëndrojnë në ambientet e Aeroportit të Gjakovës.