Operacioni kundër kultivimit të bimëve narkotike. Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Qindra policë e 12 dronë, Policia në Shqipëri asgjëson afër 300 bimë narkotike të kanabisit

Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë vazhduar kontrollet për zbulimin e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike në Tiranë.

Zyrtarët policor kanë zhvilluar aktivitete në kuadër të operacionit “Terrori i pastër”, duke bërë që të finalizohet edhe faza e 22-të e këtij operacioni.

Kësaj radhe, policët arritën të asgjësojnë përmes djegies 271 bimë narkotike kanabis sativa që u gjetën të kultivuara në zona të pyllëzuara të fshatit Mukje, në Nikël, dhe fshatrave Barkanesh, Rranzë në Krujë.

Gjatë finalizimit të kësaj faze u angazhuan 24 grupe kontrolli me 213 punonjës policie dhe u përdorën 12 dronë.

Deri më tani nga ky operacion janë asgjësuar gjithsej 12 mijë e 189 bimë narkotike kanabis.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit u tha se strukturat hetimore policore në bashkëpunim me Prokurorinë, do të vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Përderisa u njoftua se operacioni i kontrollit të territorit vazhdon.

Operacioni kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Foto: Policia e Shtetit/Facebook
Operacioni kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Foto: Policia e Shtetit/Facebook