Drogë, marihuanë - Foto: Policia e Kosovës

Aksion i Policisë në Prishtinë dhe Prizren, konfiskohen 17 kilogramë marihuanë e kokainë

Katër persona janë arrestuar dhe rreth 17 kilogramë substancë e dyshuar narkotike marihuanë është konfiskuar nga Policia e Kosovës sot gjatë ditës në dy raste të ndara.

Rasti i parë është raportuar të ketë ndodhur në Prizren rreth orës 14:50.

Në këtë rast, hetuesit e antidrogës, kanë intervenuar dhe kanë vënë nën kontroll pesë persona të dyshuar.

“Te njëri nga ta është gjetur substancës narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), me peshë të përgjithshme 121.95 gramë, një peshore digjitale, dy mullinj, një pako rizlla dhe dëshmi tjera” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se personat e hasur aty janë shoqëruar në Polici për intervistim. I dyshuari V.D., 58-vjeçar, gjatë intervistës në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar se substanca narkotike është e tij.

Ndaj tij, pas intervistimit, prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë.

Policia ka thënë se katër personat e tjerë janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve dhe janë liruar.

Rasti i dytë ka ndodhur në Prishtinë, rreth orës 17:00. Në këtë rast Policia ka ndaluar një veturë me targa vendore pasi dyshohej se drejtuesi i saj ishte një shpërndarës i lëndëve narkotike.

Sipas Policisë, tek i dyshuari janë gjetur 55.1 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Policia, nga organet e drejtësisë, ka kërkuar leje për kontroll në banesën e të dyshuarit dhe gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: afërsisht 17 kg (16.989 gramë) substancë që dyshohet të jetë marihuanë, 94.7 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, dy peshore digjitale, një makinë për ngjitjen e qeseve me vakum dhe dëshmi tjera.

“Në banesën e S.H., 28-vjeçar, janë hasur edhe të dyshuarit: V.V., 27-vjeçar dhe A.M., 25-vjeçar të cilët kishin një sasi substancë mbi tavolinë” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se pas intervistimit, tre të dyshuarit, me aktvendim nga organet e drejtësisë janë dërguar në ndalim për 48 orë.