Ahmeti i sugjeron IKShPK-së një metodë të trajtimit të pacientëve me COVID-19

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka treguar se testet e para serologjike në Prishtinë tregojnë se tek pacientët që kanë qenë të infektuar me COVID-19 ka antitrupa që e luftojnë virusin e disa prej tyre me nivele të larta të antitrupave.

“Në mungesë të trajtimeve farmaceutike, shtetet po provojnë trajtimin me transfuzion të gjakut (plasma) nga ata që e kanë kaluar në ata që janë gjendje të rëndë. Kjo me shpresën se antitrupat e gatshëm nga personi me imunitet do ta luftojnë virusin tek personi që e ka virusin tani”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

I pari i Prishtinës ka thënë se vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, 143 spitale po marrin pjesë në provën e transfuzionit të plazmës.

“115 mijë njerëz kanë ofruar gjak ndërsa deri tani janë mbledhur mbi 15 mijë njësi të plazmës nga njerëz që kanë pas virusin dhe kanë imunitet. Hiq më larg se në Maqedoni është duke u provuar ky trajtim, natyrisht deri në gjetjen e trajtimeve tjera, vaksinë apo zgjidhje farmaceutike”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti ka sugjeruar Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKShPK-në të mbledhin ekspertët shëndetësorë për ta vlerësuar këtë metodologji dhe të kërkojnë ndihmën e OBSh-së.

“Me shpresën që edhe vetëm një jetë mund të shpëtohet”, ka përfunduar Ahmeti.

Vetëm sot sipas IKShPK-së 118 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 157 të shëruar. Ndërsa në 24 orët e fundit 5 persona kanë vdekur duke e çuar numrin total në 135.