Agron Limani do ta udhëheqë Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Prizrenit

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se ka emëruar në krye të Drejtorisë së Bujqësisë, Agron Limanin.

Haskuka në një konferencë për media tha se Limani tashmë ka pranuar detyrën si dhe është takuar me drejtorin paraprak për të marrë dosjet e ministrisë.

“Agron Limani do të udhëheqë Drejtorinë e Bujqësisë. Ai sot ka pranuar detyrën dhe është takuar me drejtorin paraprak dhe ka marrë të gjitha dosjet rreth ministrisë. Gjithashtu është takuar me stafin e drejtorisë. Komuna e Prizrenit e ka prioritet zhvillimin e bujqësisë dhe besoj se Agroni do ta udhëheqë këtë drejtori më së miri. Besoj nesër ose pasnesër do të dalin në web-faqe të gjitha të dhënat për Agronin”, tha Haskuka.

Deri më tash, kjo Drejtori ishte udhëhequr nga Egzon Elshani, i cili është shkarkuar nga Haskuka në ditën kur zyrtarisht u prish koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës në nivel lokal. Elshani vinte nga LDK.

Haskuka më tej deklaroi se emra të tjerë nuk mund të japë për shkak se është ende në bisedime dhe nuk ka vendime zyrtare, porse nga 13 drejtori sa i ka Komuna e Prizrenit, dhjetë do të rifreskohen me emra të rinj.

“Emra të tjerë të drejtorive nuk mund të përmend derisa ende jam në takime. Nga 13 drejtoritë vetëm 3 do të qëndrojnë ashtu siç janë ndërsa 10 do të rifreskohen. Disa drejtorë do të lëvizin nga drejtoritë aktuale, ndërsa në disa drejtori do të ketë emra të rinj”, vazhdoi më tej ai në konferencë.

Gjithashtu, Haskuka njoftoi se në pozitën e nënkryetarit do të qëndrojë Visar Shehu, i cili deri më tash ka udhëhequr Drejtorinë e Shëndetësisë.

“Në pozitën e nënkryetarit do ta kem afër meje Visar Shehun, i cili deri më tash ka udhëhequr me Drejtorinë e Shëndetësisë. Ende nuk ka një vendim zyrtar por meqenëse Visari e ka pranuar detyrën atëherë atë do ta kem krah meje”, njoftoi Haskuka.

Sot kanë dhënë dorëheqje dy drejtorë të Haskukës.

Drejtori për Ekonomi dhe Financa Furkan Erguler ka dhënë dorëheqje pas katër muajsh që udhëhoqi me këtë dikaster, ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Levent Kasëmi ka konfirmuar për KALLXO.com se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e tij.

Ditë më parë kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka i ka shkarkuar tre drejtorët e Komunës dhe nënkryetarin e Komunës që vijnë nga LDK-ja, me të cilën deri më sot LVV-ja ka qenë në bashkëqeverisje në këtë komunë.

Të shkarkuar me vendim të Haskukës janë nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Eshref Memaj, drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj, drejtori i Bujqësisë, Egzon Elshani dhe drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi.