AGK kundërshton kufizimin e hapësirës së punës për mediat në Kuvend

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar në lidhje me vendosjen e shiritit të zi në Kuvendin e Kosovës tek hapësira e mediave, i cili ka zhvendosur prapa gazetarët, kameramanët e fotoreporterët që po raportojnë drejtpërsëdrejti nga seancat parlamentare.

AGK ka kundërshtuar kufizimin e hapësirës së punës për mediat në Kuvend.

“Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga Kuvendi i Kosovës kanë njoftuar se në seancën e së enjtes, janë ballafaquar me kufizim të dukshëm të kryerjes së detyrave nga hapësira e Kuvendit të Kosovës. Në hapësirën lart prej nga mediet raportojnë është vendosur një shirit që u pamundëson medieve të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve” – thuhet në reagim.

“AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi” – shton AGK-ja.

AGK thekson se ky vendim, nuk i kontribuon transparencës për punën e të zgjedhurve të popullit teksa ka ftuar Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve.

“Ky vendim gjithashtu nuk i kontribuon transparencës për punën e të zgjedhurve të popullit. AGK-ja fton Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve, pasi që raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut. Si pasojë e këtij vendimi, gazetarët në fund të seancës së sotme janë larguar nga punimet e Kuvendit”- deklaron AGK.

Pas pauzës së seancës së vazhdimeve në Kuvendin e Kosovës, në hapësirën të cilën janë të vendosura mediat, është vendosur një shirit i cili ka zhvendosur prapa gazetarët dhe kameramanët që po raportojnë drejtpërsëdrejti nga seancat parlamentare.

Zyrtarët e Kuvendit, që kanë vendosur shiritin janë arsyetuar duke thënë se ky vendim ka qenë “për shkaqe sigurie”.

Kjo sipas mediave e ka vështirësuar punën e tyre për të raportuar tek qytetarët, prandaj vendosën që të bojkotojnë dy seancat e jashtëzakonshme.

Mediave u vendoset shirit kufizues në Kuvend, gazetarët bojkotojnë raportimin e seancës