Zafir Berisha, Koordinator Kombëtar për Siguri Kibernetike. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AGK dënon gjuhën e Zafir Berishës ndaj Ermal Pandurit

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën e zyrtarit të Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, kundër autorit të emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjin, Ermal Panduri.

Berisha, para më pak se një ore, në profilin e tij në Facebook u shpreh kështu: “Ermal Panduri i Dukagjinit vazhdon të mbetet zëri më besnik i politikës së Serbisë, se si i trajton temat që lidhen me luftën dhe me mostrumin politik në Hagë”.

E ky reagim i ish-deputetit është parë me shqetësim nga AGK-ja, e cila tha se çdo asocim i gazetarëve dhe mediave me Serbinë është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm, sidomos për një proces të ndjeshëm siç është ai i Hagës.

“AGK-ja, u bënë thirrje politikanëve që të përmbahen nga gjuha e tillë kundër gazetarëve, sepse si pasojë e saj, gazetarët shpesh bëhen cak i kërcënimeve dhe fyerjeve nga opinioni” – thuhet tutje në reagimin e Asociacionit.

Në anën tjetër, Berisha në reagimin e tij shtoi edhe se mbi 20 vite Serbia ka investuar në luftën speciale në përçarje të shqiptarëve përmes telallëve të vet.

Ai shtoi se disa me vetëdije dhe mision dhe disa pa vetëdije po i shërbejnë përpjekjes së Serbisë për dëmtimin e themelit të shtetit të Kosovës.

Po ashtu Berisha tha se një pjesë e madhe e luftëtarëve para se të angazhohen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe, sipas tij, tendenca e Serbisë, Hagës e ‘sojit pandurave’ që me nxjerrë luftën çlirimtare si luftë vëllavrasëse, është e ligë dhe e dëmshme për të ardhmen e vendit.