Agjencia për Privatësi tregon a u lejohet mediave të realizojnë “Vox Pop-a” në sheshe

Gjasat që përderisa jeni duke kaluar në njërin nga sheshet e Prishtinës, të bëheni drejtpërdrejtë pjesë e ndonjërit prej programeve të televizioneve (apo ueb-faqeve) që gravitojnë në këto sheshe – janë të mëdha.

Kjo dukuri është bërë aq e shpeshtë dhe e vazhdueshme sa që përpos se në disa raste është kthyer në burim satire, janë ngritur shqetësime nëse këto intervista janë të imponuara dhe shkelin privatësinë dhe vullnetin e këtyre qytetarëve për t’ju nënshtruar këtyre intervistave.

Trendi aktual i mediave në Kosovë për të realizuar të ashtuquajturat “vox pop” apo intervista të shkurta, zakonisht krejtësisht spontane në sheshe dhe hapësira të tjera publike në vend, ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e shikuesve por edhe të njohësve të ligjit për mbrojtjen e privatësisë nëse kjo mënyrë e intervistimit është e kundërligjshme.

Agjencia për Informim dhe Privatësi, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke ju përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com, ka treguar kushtin që duhet të plotësojnë mediat para intervistimit.

“Mbi bazën e parimeve të LMDhP, mediat si kontrollues të të dhënave obligohen që në punën e tyre të zbatojnë dispozitat ligjore me rastin e përpunimit të të dhënave personale të subjekteve të të dhënave, respektivisht parimeve dhe kritereve të përcaktuara, përfshirë legjitimitetin e përpunimit e që në rastin konkret është pëlqimi i subjektit” – thuhet në përgjigjen e Agjencisë për KALLXO.com.

Agjencia sqaron se para se të merret ky pëlqim nga ana e të intervistuarit apo të intervistuarës, duhet medoemos të informohen për çfarë arsye po intervistohen, cili medium po i interviston, si dhe të drejtën e të intervistuarve që ta shohin intervistën, ta korrigjojnë atë por edhe të drejtën që të kërkojnë që intervista të fshihet fare.

E te storiet me karakter social Agjencia e nënvizon obligimin e mediave për kujdes në raport me kategoritë e ndjeshme në rastet kur pamjet e transmetuara mund të identifikojnë një person fizik.

“Media, në veçanti duhet të trajtojë legjitimitetin e përpunimit të të dhënave personale të fëmijëve, personave që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme apo kur publikojnë lajme me karakter social që mund të identifikojnë një person fizik” – thuhet tutje në përgjigje.

Por, megjithatë, Agjencia thotë se mënyra e marrjes së intervistave është përgjegjësi e vetë mediave.

“Mënyra se si realizohet dhe hapat që duhet të ndërmerren gjatë intervistave në sheshe publike, është përgjegjësi e vetë kontrolluesit” – pohon Agjencia.

Zyrtarët konfirmojnë se rregullimi i procedurës së saktë potenciale që do të duhej të zbatohej nga mediumet bie në fushëveprimtarinë e institucioneve kompetente, duke treguar se ligji aktual nuk e adreson shprehimisht një çështje të tillë.

“Institucionet kompetente të cilat kanë përgjegjësi për rregullimin  e fushëveprimtarisë së mediave duhet të jenë në hapin e duhur me hartimin e rregullativës legjislative, administrative dhe procedurale që do t’i shërbenin mediumeve në punën e tyre të përditshme në ushtrimin e misionit të tyre në informimin e publikut” – thekson tutje AIP.

Agjencia ka qartësuar se në kuptim juridik sa u përket të drejtave të atyre që intervistohen dhe atyre që e realizojnë atë – pra mediumeve, nuk ka kurrfarë dallimi mes intervistave që realizohen në sheshe dhe atyre që bëhen në studio televizive.