Pavarësisht kritikave, Kuvendi e miraton në parim Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

Me votën pro të 61 deputetëve, Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së mbajtur më 07.03.2024, e ka miratuar në parim Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Kjo pikë ishte bartur nga seanca e zhvilluar më 15.02.2024.

Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë fare në votim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara në Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Edhe organizatat prestigjoze ndërkombëtare dhe rajonale i janë bashkuar kërkesës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës drejtuar Qeverisë së Kosovës që ta tërheqë këtë projektligj nga Kuvendi.

Ndërkohë, edhe Qendra Europiane për shtyp dhe liri të medias (ECPMF) përmes një komunikate i ka bërë thirrje urgjente Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta rishikojë këtë Projektligj.

Sipas kësaj qendre, mungesa e transparencës gjatë hartimit të këtij projektligji ngre shqetësime, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Ky Projektligj i dorëzuar më 27.12.2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim, respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa pasur nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

Organizatat ndërkombëtare me thirrje urgjente për Qeverinë të rishqyrtojë ligjin e propozuar për KPM-në