Ankohet Talat Xhaferi për raportimin e mediave në Maqedoni të Veriut: A e shihni diku BDI-në të përmendet?

Kryeministri Talat Xhaferi pretendon se mediat në Maqedoninë e Veriut po e bojkotojnë shkaku i një Ligji për media.

Xhaferi në emisionin “Kallxo Përnime” thotë ka vendime konkrete të stafeve udhëheqëse të mediave në Maqedoni të Veriut që “Talat Xhaferi nuk guxon me u paraqitë në ato media”.

“Ka vendime konkrete të stafeve udhëheqëse të mediave, jo me më sulmu, por që Talat Xhaferi nuk guxon me u paraqitë në ato media, për shkak se kam qenë kundër përfitimeve që kanë nga buxheti. Mendjen nuk e ndërroj. Ka ardhur një qëndrim i mediave që iu dërgojnë porosi subjekteve politike indirekt në qoftë se nuk kalon ligji do ju bojkotojmë në fushatë, përkundrazi dhe do bëjmë fushatë negative”- ka treguar Xhaferi.

Xhaferi ka rrëfyer se në ditën kur ka marrë detyrën e kryeministrit nuk është raportuar në mediat maqedonase, përveç atyre në Shqipëri dhe Kosovë.

Ai sqaron se askund nuk përmendej me emër “Talat Xhaferi kryeministër”.

“E di edhe atë që ka ndodhë në drejtim të asaj që a e shihni dikund që BDI përmendet në media, ishte zgjedhja ime për kryeministër, është shkruar në media ne Shqipëri dhe Kosovë. A i keni përcjellë mediat këtu? Nuk ka pasë as status, bile nuk është përmend as emri e as fotografia, fjalimi im apo ekspozeja ime”- ka deklaruar Xhaferi.

“Nuk po e dramatizoj, mund të merrni arkivin për raportimet e 28 janarit për media të vendit, nuk ka asgjë nga fjalimi im, askund nuk përmendet me emër “Talat Xhaferi kryeministër”, nuk përmendet. Është qasje e mediave, nuk ngarkohem shumë me atë qasje, unë kam komunikim me qytetarët në terren, në parlament sa kam qenë mbi 6 mijë qytetarë kanë qarkulluar në zyrën time”- shton ai.

Më 28.01.2024, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 08.05.2024. Pro zgjedhjes së ekzekutivit votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Udhën për t’u kurorëzuar Xhaferi kryeministër e hapi dorëheqja e Dimitar Kovaçevskit më 25.01.2024, Qeveri të cilën e ka udhëhequr nga 11.01.2022.

www.kallxo.com