Foto: KALLXO.com

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit: Nuk ka konflikt interesi në rastin e ish zv/drejtoreshës së ARBK-së dhe Klan Kosovës

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (AKK) e ka mbyllur rastin e hapur ndaj ish zëvendës drejtoreshës së Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Pranvera Prestreshi, e cila dyshohej për konflikt interesi në rastin e anulimit të vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit për “Klan Kosovën”.

Sipas vendimit të AKK-së nuk janë gjetur prova të mjaftueshme që e argumentojnë dyshimin për ekzistimin e konfliktit të interesit.

Prestreshi dyshohej për konflikt interesi pasi që “djali i vëllait të bashkëshorit të saj (djali i kunatit) në vitin 2015 e ka përfaqësuar subjektin juridik K. K. në një rast në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

“Rrjedhimisht, raporti i afërsisë familjare ndërmjet zyrtarës znj. Pranvera Prestreshi dhe B. P., është lidhje (afërsi) e gjinisë së krushqisë në shkallën e tretë”- thuhet ndër të tjera në këtë vendim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) më 14 qershor ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Me një vendim tjetër, ARBK kishte anuluar vendimin për vendimin e pezullimit të certifikatës së biznesit për “Klan Kosovën”.

Televizioni Klan Kosova kishte njoftuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka anuluar vendimi i një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova Sh.P.K. Sipas Klan Kosovës, në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova.

 

MINT mohon se pezullimi i licencës së Klan Kosovës është sulm ndaj lirisë së mediave