Klan Kosova: ARBK suspendoi përsëri certifikatën e biznesit
Televizioni Klan Kosova ka njoftuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka anuluar vendimi i një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova Sh.P.K.
Sipas Klan Kosovës, në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova.
Mirëpo ky medium ka thënë se ky fakt nuk qëndron dhe këto veprime i ka konsideruar si tendencë për ta pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë.
Ky është njoftimi i plotë i Klan Kosovës:
“Një vendim i ri sot nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka njoftuar se është anuluar vendimi i një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova Sh.P.K.
Në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova, fakt i cili nuk qëndron.
Sipas informatave nga media tjera, znj. Prestreshi është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Enver Haliti.
Vendimi ka edhe këshillën juridike, në të cilën thuhet se “pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin për Shqytimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të Vendimit”.
Klan Kosova ka shprehur habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së, brenda më pak se 24 orë prej vendimit të parë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta kthejë ligjshmërinë në këtë çështje.
Njëkohësisht, Klan Kosova vazhdon të besojë se veprimet e ditëve të fundit, si dhe ky i sotmi, janë tendencë e qartë për të pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë. Klan Kosova, si dhe deri më tash, edhe për këtë hap do t’i njoftojë të gjitha organizatat dhe institucionet e medias dhe gazetarëve në vend dhe në botë, përfaqësitë diplomatike dhe misionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë.”/Klan Kosova.
Dje Klan Kosova kishte njoftuar se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve ARBK ka lëshuar një vendim zyrtar me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Klan Kosova ka dorëzuar kërkesën për plotësim të dokumentacionit dhe me këtë rast është bërë shfuqizimi i vendimit për suspendimin e certifikatës së biznesit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) më 14 qershor ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.
Ministria ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Ministria ka thënë se në rastin konkret të ndërrimit të pronarëve të biznesit Klan Kosova Sh.P.K, dëshmia e regjistrimit nga shteti i Maqedonisë së Veriut, në përmbajtjen e saj dëshmon se qytetet e Kosovës, të cilat në këtë rast janë Gjakova dhe Peja, paraqiten si qytete të Serbisë (Gjakovë, Serbi dhe Pejë, Serbi).
Vendim i MINT ka nxitur reagime të shumta.
Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova.
Ndërkaq, MINT më 19 qershor ka dalë me një komunikatë për media pas reagimeve të shumta të cilat e kanë cilësuar pezullimin e licencës së mediumit Klan Kosova si sulm ndaj lirisë së shtypit.Këtë gjë MINT e ka quajtur si të paarsyeshme dhe të paqëndrueshme.“Në mbrojtjen e saj, media private Klan Kosova, e cila është një nga aktivitetet e Klan Kosova Sh.P.K, ka deklaruar se ky është një sulm ndaj lirisë së mediave. Kjo është larg nga e vërteta. Organet që rregullojnë regjistrimin e biznesit dhe aktivitetet e medias janë dy organe shumë të ndara” – ka thënë MINT-i.
MINT mohon se pezullimi i licencës së Klan Kosovës është sulm ndaj lirisë së mediave