Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Afera me rezervat shtetërore, çfarë deklaroi në Gjykatë zyrtari i Ministrisë, Hafiz Gara?

Hafiz Gara, zyrtar i Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, është i arrestuar për rastin e rezervave shtetërore.

Në seancën dëgjimore në Gjykatën e Prishtinës, Gara ka thënë se ka pasur përpjekje me qëllim të mirë për rritjen e rezervave për mbrojtje të qytetarëve në rast rreziku.

“Në Departamentin e rezervave shtetërore kanë bërë përpjekje për qëllim më të mirë ta rrisin rezervën për mbrojtje të qytetarëve në rast rreziku”- citohet të ketë thënë Hafiz Gara sipas aktvendimit të Gjykatës, të siguruar nga KALLXO.com.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, Gara kishte treguar se ka përvojë 18-vjeçare, nga të cilat 15 vite ka udhëhequr si kryeshef ekzekutiv një agjenci të Ministrisë.

Gara tha se për arritjet në punën e tij ka pasur vetëm mirënjohje.

Në fund, Gara kishte shtuar se është në gjendje që të përballet me drejtësinë në çdo situatë.

“Jam i gatshëm të përballem me drejtësinë në çdo situatë”- kishte thënë Gara siç përshkruhet në vendimin e Gjykatës.

Mbrojtësi i Hafiz Garës, Bekim Kelani, kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, duke shtuar se në këtë dosje të Prokurorisë nuk ka asnjë provë e cila do ta inkriminonte të mbrojturin e tij.

Kelani kishte kundërshtuar faktin se i mbrojturi i tij mund të arratisej në rast se nuk caktohet masa e paraburgimit, pasi që i njëjti nga Policia e Kosovës ishte thirrur pesë herë dhe në të gjitha herët ishte paraqitur, se ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe interesi i tij është që e vërteta dhe e drejta të zbulohen.

“Mbrojësi i të pandehurit Hafiz Gara, Av Bekim Kelani, ka kundërshtuar në tërësi kërkesën për caktimin e paraburgimit, sepse nuk janë përmbushur kushtet e parapara… Sa i përket kushtit se i mbrojturi im mund të arratiset ky fakt nuk qëndron për të vetmen arsye se i mbrojturi im nga data 31 korrik i vitit 2023 është thirrur në policinë e shtetit për pesë herë, të njëjtit i dihet identiteti dhe adresa e saktë”- kishte deklaruar Kelani.

Mbrojtësi i Garës kishte thënë se duhet të merret parasysh fakti se i mbrojturi i tij është i moshës së shtyrë dhe se asnjëherë nuk ka rënë në kundërshtim me ligjin.

Kelani kishte shtuar se Prokuroria Speciale kishte dështuar sa i përket pretendimit se të dyshuarit do të ndikojnë në dëshmitar[, pasi që nuk ishte prezantuar asnjë dëshmitar në këtë proces dhe meqenëse nuk është propozuar asnjë dëshmitar nuk ekziston mundësia e ndikimit në ta.

“Sa i përket kërkesës për ndikim në dëshmitar Prokuroria Special ka dështuar se nuk ka prezantuar asnjë dëshmitar në këtë proces dhe si është e mundur që i mbrojturi im të ndikojë në ta”- kishte deklaruar Kelani

Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi gjenden në paraburgim që nga 19 gushti pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së tillë.

Dosja e Prokurorisë: Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete” me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë vendimin për formimin e komisionit për negocimin e kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022.  Me këtë vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij komisioni për negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit

Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Në dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, me datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezerves Shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e prokurimit publik, e më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E. përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezerves shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për furnizim.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Në anën tjetër dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim per fumizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, e më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara me O.E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave.