Komuna e Shtërpcës FOTO-KALLXO.com

Afër 3 milionë euro kushtuan, Shtërpca nuk i shfrytëzon banesat sociale

Edhe pse banesat sociale në Komunën e Shtërpcës janë përfunduar qysh prej para pesë vjetësh, ato kurrë nuk janë shfrytëzuar.

Sipas raportit të ZKA-së për këtë komunë, këto banesa nuk janë të pranuara teknikisht ende.

Në raportit të Zyrës Kombëtare të Aauditimit po ashtu tregohet se vlera e përgjithshme e këtyre banesave është 2,709,075 euro.

Në raport po ashtu bëhet e ditur se këto banesa sociale tashmë kanë filluar të dëmtohen dhe të vidhen pajisjet e instaluara.

“Këto ndërtesa nuk shfrytëzohen nga askush, nuk kanë përkujdesje dhe nuk mirëmbahen. Nga vizita e realizuar kemi vërejtur se të gjitha këto ndërtesa kanë filluar edhe të dëmtohen dhe të vidhen pajisjet e instaluara të ndërtesave. Sipas menaxhmentit ndërtesat nuk janë pranuar teknikisht për shkak të demolimeve dhe procesit të hetimit”, thuhet në raportin e auditorit.

Kujtojmë se sipas nenit 2.1 të Rregullores 02/2013, të gjitha organizatat buxhetore janë të obliguara që të marrin masat e nevojshme për dokumentimin, ruajtjen, evidentimin, tjetërsimin dhe raportimin e pasurisë jo financiare me qëllim të menaxhimit më efektiv, efikas dhe ekonomik, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë jo financiare nga dëmtimi dhe keqpërdorimi.

Auditori ka rekomanduar kryetarin e Shtërpcës së duhet të sigurojë që kërkesat për blerjen e pajisjeve dhe planifikimi i nevojave për prokurim të jenë analizuar mirë dhe në përputhje me krijimin e parakushteve për funksionalizimin e tyre, duke pasur parasysh gjithnjë vlerën për paranë.

Më tutje, auditori ka rekomanduar se duhet të merren masa urgjente që të krijohen parakushtet që pajisjet që gjenden në depo dhe ndërtesat e banimit sociale të futen sa më shpejt në përdorim.