Adriatik Kelmendi pas vendimit të MINT për Klan Kosovën: Nuk do t’ia dalin

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbrëmë njoftoi se ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Kjo ministri tha se ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ish-drejtor i televizionit, Adriatik Kelmendi aktualisht gazetar dhe moderator në Klan Kosova ka reaguar pas vendimit të MINT duke e quajtur “përpjekje për frikësim”.

Kelemendi në shkrimin e tij ka thënë se “nuk do t’i lëmë, nuk do t’ia dalin”.

“Pushtetet gjithnjë mund të gjejnë një pretekst për t’ia mbyllur gojën një gazetari, një medie. Sot thuhet paska qenë një pasaportë diçka, nesër një pyetje e gabuar në konferencë shtypi, pasnesër ngjyra e llogos së ndonjë televizioni…Se mbyllja e gojës së medias ndodh vetëm në vende si Rusia e Bjellorusia, Serbia e Koreja e Veriut, jo në Kosovën tonë, jo në popullin të cilit askush asnjëherë nuk ka mundur t’ia mbys idealin për të jetuar i lirë”- ka shkruar ai.

Kelmendi ka krahasuar vendimin e MINT-it me periudhën e para luftës në Kosovë, kur regjimi serb kishte mbyllur mediat në Kosovë.

“Ka ndodhur edhe një herë gjatë punës sime si gazetar që një pushtet të bëjë përpjekje për ta mbyllur një media. Ishte viti 1999. Kurse pushteti ishte ai i Milosheviqit. Edhe atëbotë ishte gjetur një pretekst. Dy shkrime të botuara, të cilat në fakt ishin përkthime nga agjencia sebe e lajmeve Beta. Me këto Milosheviqi e çoi në gjyq “Kohën ditore” me synim mbylljen. Pastaj me 24 mars, forcat e tij hynë ne redaksi, e vranë rojën dhe shkatërruan gjithçka. Përkohësisht Milosheviqi e mbylli median, por pas disa javësh vazhduam punën në Tetovë dhe ja ku jemi edhe sot, të githë gazetarët, duke i dhënë profesionit më të mirën, por duke e bërë edhe Kosovën më median më të mirë në rajon”- ka shkruar mes të tjerave ai.

Mbrëmë ka reaguar edhe vet medium Klan Kosova duke thënë se ata asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.

“Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë” – thuhet në reagim.Televizioni ka njoftuar se kanë ndërmarrë masat e konsultimit me jurist.

Komisioni i Pavarur i Mediave ka caktuar mbledhje më 16 qershor për të trajtuar rastin e Klan Kosovës.

“Komisioni është duke e analizuar rastin konform Ligjit për KPM-në dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me dhënien e licencës dhe vlerësimin e aplikacioneve për licencë” – shkruan KPM.