Abelard Tahiri (PDK) në mbledhjen e kryesisë, 17 janar 2022

Abelard Tahiri: Numër i madh i qytetarëve dëshirojnë largimin nga Kosova

Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se gjatë këtij viti sa ka qeverisur Lëvizja Vetëvendosje ka një numër të madh të qytetarëve që po largohen nga Kosova.

“Sot kur kemi një vjetorin e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale, kur Lëvizja Vetëvendosje doli fitues, e kemi po ashtu numër më të madh të qytetarëve të Kosovës që dëshirojnë të lëshojnë Kosovën. Prej çlirimit të vitit 1999 nuk mund të gjeni në statistikat e ambasadave që brenda dy muajve vetëm në një ambasadë numri i njerëzve që kërkojnë vizë pune shkon rreth 90 mijë, pa i përfshi edhe ambasadat që lëshojnë viza shengen”, ka thënë Tahiri.

Ai deklaroi se është shqetësuese që qytetarët nuk po shohin shpresë që të jetojnë në Kosovë.

“Vetëm në një ambasadë i kemi pasë mbi 50 mijë aplikime, ndërkaq në muajin janar janë regjistruar 48 mijë aplikime. Kjo vërtetë është shqetësuese që njerëzit më nuk shohin shpresë me jetu në këtë vend. Duhet me pasë qeverisje efikase e cila vërtetë e qeverisë vendin”, ka deklaruar Abelard Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.