Abelard Tahiri (PDK) në mbledhjen e kryesisë, 17 janar 2022

Abelard Tahiri: Kurti ka bërë hapa të gabuar në partneritetin me ShBA-të

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri në një prononcim pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se kryeministri Kurti po sillet me arrogancë e papërgjegjësi karshi qytetarëve.

“Nga takimet në Berlin e vizita në shtete tjera, deri tani kemi papapërgjegjësi dhe arrogancë të kryeministrit karshi qytetarëve të Kosovës, nuk ka si mos të jetë ndryshe kur një kryeministër, me javë të tëra nuk gjendjet në Kosovë. Presim që të raportojë në Kuvend për të gjithë angazhimin e tij në vendet e jashtme dhe në veçanti sa i përket dialogut me Serbinë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri tutje potencoi se qeveria Kurti ka bërë hapa të gabuar sa i përket partneritet me SHBA-në, ai theksin e vuri tek refuzimi i projektit të  gazsjellësit.

“Ne partner tonë i kemi SHBA-të dhe konsideroj se qeveria Kurti ka bërë hapa të gabuar, si ai me gazsjellësin që ka qenë gabim trashanik. Çështja e gazit ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme, kjo është çështje edhe e sigurisë jo vetëm ekonomisë. Investimi i tillë amerikan për ne përkthehet edhe si siguri”, ka thënë Tahiri.

Abelard Tahiri foli edhe për procesin e Vettingut që sipas tij, kjo qeveri është e paaftë ta shtyjë përpara.

“Vettigu është proces kompleks dhe kërkon ekspertizë të madh. Konsiderojmë se kjo qeveri e paaftë nuk ka mundësi të shtyjë përpara këtë proces. Procese të tilla të verifikimit të gjyqtarëve e prokurorëve janë të rëndësishme, por jo më gjueti shtrigash si e kanë fillu këta”, ka thënë tutje Tahiri.

Nga data 6 maj deri 23 maj, kryeministri Albin Kurti ka qëndruar në vizitë në SHBA.

Komunikatat e Qeverisë tregojnë se Kurti ka vizituar kompani si ‘Microsoft’, ‘Uber’, ‘Linkedln’, ‘Matter’ të cilat i ka ftuar që ta shohin Kosovën si treg për investimet e tyre.

Ndonëse nuk e takoi presidentin e SHBA-së, Joe Biden, Zëvendëspresidenten Kamala Harris ose edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i pari i qeverisë arriti të takonte këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, kongresistë dhe senatorë të ndryshëm.

Partia opozitare LDK e ka cilësuar këtë vizitë të Kurtit si pa agjendë, derisa PDK e ka quajtur ‘ekskursion’.

Pas vizitës në SHBA, Kurti kishte vazhduar vizitën e tij në forumin ekonomik botëror që u mbajt në Zvicër, aty zhvilloi takim me homologun e tij nga Mali i Zi Dritan Abazoviq dhe ishte pjesë e panelit diskutues ku kishte pjesëmarrës të shumtë, përfshirë presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Kurti flet për vizitën e tij në SHBA: Në Kosovë do të shtohen investimet