Kurti flet për vizitën e tij në SHBA: Në Kosovë do të shtohen investimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se para dy ditësh është kthyer nga vizita e tij dy javore në SHBA. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij ai dha detaje se me kënd është takuar.

“Para dy ditësh jam kthyer nga qëndrimi dy javor në SHBA.. Në SHBA kam takuar 7 senatorë, 4 demokratë dhe 3 republikanë dhe 12 kongresistë, 9 demokratë dhe 3 republikanë si dhe 7 zyrtarë të lartë të qeverisjes amerikane..”, tha Kurti.

Ai shtoi se ka mbajtur prezantime në 7 universitete dhe ka takuar dhjetëra biznese.

“Kam vizituar e mbajtur prezantime në 7 universitete, kam takuar dhjetëra biznese dhe kam mbajtur 12 tubime me bashkëatdhetarët tanë. Qe të gjitha këto takime ishin përmbajtësore, miqësore dhe të frytshme”, tha Kurti më tej.

Në fund, kryeministri theksoi se “në Kosovë do të shtohen edhe investimet edhe siguria”.

Nga data 6 maj, kryeministri Albin Kurti ka qëndruar në vizitë në SHBA. Komunikatat e Qeverisë tregojnë se Kurti ka vizituar kompani si ‘Microsoft’, ‘Uber’, ‘Linkedln’, ‘Matter’ të cilat i ka ftuar që ta shohin Kosovën si treg për investimet e tyre.

Ndonëse nuk e takoi presidentin e SHBA-së, Joe Biden, Zëvendëspresidenten Kamala Harris ose edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i pari i Qeverisë arriti të takonte këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, kongresistë dhe senatorë të ndryshëm.

Partia opozitare, LDK e ka cilësuar vizitën e Kurtit pa agjendë dhe të papërgatitur mirë, kurse PDK e ka cilësuar si ‘ekskursion’.