Abdixhiku para se të fillojë Kuvendi zgjedhor shpreh falenderim për burrat e gratë e LDK-së që kontribuan në parti

Lumir Abdixhiku nga LDK që po synon edhe një mandat në krye të kësaj partie, gjatë fjalimit të tij para se të fillojë punimet Kuvendi zgjedhor i LDK-së, tha se e ndjen që të shpreh falenderim e mirënjohje, e të ngre në lartësinë më të madhe patriotike, sipas tij, kontributin e të gjithë burrave e grave të LDK-së, e atit themeltar, siç e quajti ai Ibrahim Rugovën.

“Ndjej që para se të nisim pjesën procedurale, në emër të gjithë ju, të gjithë anëtarësisë sonë, të shpreh jo vetëm falënderim e mirënjohje, por të ngre në lartësinë më të madhe patriotike kontributin e të gjithë burrave e grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës të atyre që janë e të tjerët që s’janë mes nesh, themeltarëve të kësaj shtëpie të demokracisë, që të rreshtuar prapa atit themleltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës, bënë gjithë rrugëtimin për liri, pavarësi, demokraci, atë që e panë të gjithë, atë që na qëndron si rikujtim i këtij misioni fisnik” – tha Abdixhiku.

Sot Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është duke mbajtur Kuvendin e dhjetë zgjedhor. Punimet kanë filluar në ora 14:00 në Sallën e Sporteve në Pallatin e Rinisë.