Abdixhiku flet për kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk ka koment për lajmet se arkitekti, Përparim Rama, do jetë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Ai gjatë një interviste në emisionin ‘Context’ në ATV tha se janë ende në vlerësim të gjendjes në LDK.

“Nuk kam koment, ju lus të prisni edhe pak kohë, para se të fillojmë bërjen publike të kandidaturave. Jemi në proces të vlerësismit të gjendjes së LDK-së nëpër degë, që nënkupton ndarjen e anëtarëve të kryesisë për të bërë analizën e gjendjes strukturore”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje ai shtoi se testi i tyre i parë do jenë zgjedhjet lokale të këtij viti dhe shtoi se do kenë kanidaturën më kredibile dhe ndryshe nga çfarë ka mbizotëruar skenën politike.

“Testi i parë për ne do jenë në zgjedhjet lokale, ku do dalim të përgatitur, oferta jonë nuk do jetë vetëm më e mira, por edhe më kredibilja dhe më ndryshe se niveli politik që ka mbizotëruar deri tani”, shtoi tutje Abdixhiku.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen në tetor të këtij viti.