Kadri Veseli Shpall Kandidaturën

“Kam nderin të shpall para jush kandidaturën për kryetar të partisë më të madhe PDK-së,” tha Veseli në një konferencë për gazetarë.

Veseli tha se vendimin e mori në konsultim edhe me të tjerët.

“Pas një konsultimi me bashkëshorten time, familjen dhe kolegët e mi dhe pas pranimit të përkrahjes kam vendosur të kërkoj nga anëtarët e PDK-së besimin për të udhëhequr me PDK-në,” tha Veseli.

Veseli tha fjalë të mira edhe për ish-kreun e PDK-së Hashim Thaçin.

“Shpreh mirënjohjen më të madhe për ish-kryetarin e PDK-së, mikun dhe bashkëluftëtarin Hashim Thaçi,” tha Veseli.

Ai pastaj veten e cilësoi të përshtatshëm për këtë pozitë.

“Kam mjaftueshëm kapacitete dhe energji për të udhëhequr PDK-në,” tha  Veseli.

Veseli deklaroi se do ta çojë përpara PDK-në.

“Së pari do të vazhdoj me ngritjen e PDK-së, kjo është më e rëndësishmja. Do të vazhdoj politikën e partneritetit ndërkombëtar. Do të punoj në anëtarësimin e PDK-së në familjen e madhe të partive të djathta evropiane,” tha Veseli.

Ai tha se do të bashkëpunojë edhe me të tjerët.

“Do të punoj që të ruajmë dhe ndërtojmë partneritetin me partitë tjera në Kosovë. Do të punoj në partneritet të ngushtë edhe me shoqërinë civile dhe mediat,” tha Veseli.