Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi: Rritja e çmimeve të energjisë është shkaktuar qëllimisht nga Rusia

Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Haki Abazi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se rritja e çmimeve të energjisë është shkaktuar qëllimisht nga Rusia dhe se zvogëlimi i sasisë të gazit nga ana e Rusisë ka tentuar që të krijojë brishtësi në stabilitetin politik dhe ekonomik të Evropës.

Abazi tha se energjia në fillim u paraqit si një çështje e rritjes së ekonomisë pas pandemisë por tash po kuptohet qartë që është bërë qëllimisht nga ana e Rusisë.

“Energjia në fillim u paraqit si një çështje që ishte se po rritet ekonomia pas pandemisë por tash po kuptohet drejtë që në fakt zvogëlimi i sasisë të gazit nga ana e Rusisë qëllimisht ka tentua që të krijojë brishtësi në stabilitetin politik, ekonomik të Evropës dhe të krijojë njëfarë fragmentimi brenda anëtarëve të Bashkimit Evropian që në këtë moment kur duhet të jenë të gjithë të unifikuar në përgjigje ndaj Rusisë të mos jenë por për fat të mirë më shumë vonesë Unioni Evropian reagoi me sanksionet”, tha ai.

Në debatin për luftën Rusi-Ukrainë, Abazi foli edhe për çështjen e rezervave shtetërore të Kosovës.

Ai tha se nuk beson që kemi nevojë për panik në relacion me krizën në Rusi sa i përket furnizimit më produkte esenciale.

“Është tregu që përkundër faktit që në fillim sigurisht në një situatë të re mund të panikohet jemi treg i hapur dhe rrjedhimisht hyrja e artikujve esencialë në vend nuk rrezikohet më, nuk është koha kur shteti është obliguar të ketë rezerva shtetërore sepse është i bllokuar apo potencialisht mund të bllokohet”, tha Abazi.