Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. FOTO: KALLXO.com

AAK: Mospranimi i Kurtit që të takohet me Ramën, është një ndër skandalet më të mëdha

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është deklaruar në lidhje me vizitën në Kosovë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ende po pret konfirmimin nga kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti për t’u takuar pasdite.

Në lidhje me këtë, Tahiri ka deklaruar se mos-pranimi i Kurtit për të takuar Ramën “është një ndër skandalet më të mëdha, një ndër momentet që e bën të turpshëm secili shqiptar”.

“Kryeministri i Shqipërisë vjen në shtëpinë e vet, të vëllezërit dhe motrat e veta. Mospranimi qe të takohet me Ramën, është një ndër skandalet me të mëdha, një ndër momentet që e bën të turrshëm secilin shqiptar qe mendon dhe frymon shqip”- tha Tahiri i AAK-së.

Deputeti Tahiri thotë se Rama vjen në Kosovë si kryeministër dhe jo si person privat, dhe sipas tij, ai ka brengë për situatën në vend.

“Rama vjen si kryeministër, jo si person privat. Ai është njeri që ka brengë për situatën në Kosovë. Takimi duhet të ndodh sepse Rama e ka bërë edhe një hap tutje qe ka urdhëru ministrat e vet të nënshkruhen nga pala shqiptare në mënyrë qe të plotësohet kryeministri Kurti” – është shprehur Tahiri.

“Këto kushtëzime e zbardhin një agjendë mashtruese që e ka pas Kurti. E shoh si një veprim skandaloz dhe kërkesa jon është që te këtë takim”- shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot do ta vazhdojë me Kosovën vizitën e tij zyrtare dy ditore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rama mëngjesin e së enjtes ka publikuar agjendën e tij takimeve të tij, në të cilën bëhet e ditur se sot do të zhvillojnë një takim bilateral me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin me fillim në ora 16:00.

Më pas ai do të vazhdojë për në Kuvend, ku do të takohet me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca në orën 17:15.

Për takim me kryeministrin Albin Kurti, sipas agjendës së publikuar nga Rama, thuhet se është në pritje të konfirmimit.

Edi Rama sot në Kosovë, në pritje të konfirmimit për takim me Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën e ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo pasi që mbledhja e planifikuar më 14 qershor në qytetin e Gjakovës ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, arysetimin se “në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, pas zhvillimeve në veri të Kosovës.