Ilustrim - Foto: REL/Reuters

A mund ta ndalojë infektimin me coronavirus vendosja e një maske?

Në një shkrim të saj të radhës në lidhje me virusin Covid-19, i njohur ndryshe edhe si coronovirusi, e përditshmja britanike The Guardian, flet për të mënyrën se si mund të infektohet një individ me coronavirusin, kush janë personat më të rrezikuar dhe çfarë mund të bëjë një individ që të evitojë infektimin me këtë virus.  

 

Vendosja e një maske në fytyrë nuk jep ndonjë garanci se një individ nuk do të sëmuret sepse viruset mund të barten edhe përmes syve dhe, grimcat e vogla virale, të njohura si aerosole, mund të depërtojnë nëpërmjet maskës. Sidoqoftë, maskat janë efektive në kapjen e pikëzave, të cilat edhe janë shkaku kryesor i bartjes të coronavirusit.

Nëse ka të ngjarë të që një individ të jetë në kontakt të ngushtë me ndonjë të infektuar, maska padyshim se e zvogëlon mundësinë që virusi të bartet tek tjetri. Nëse tek një individ shfaqen simptoma të coronavirusit, apo është diagnostikuar me ato simptoma, atëherë vendosja e një maske mund ti mbrojë edhe të tjerët. Pra, maskat janë vendimtare për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror që kujdesen për pacientët dhe rekomandohen gjithashtu për anëtarët e familjes që duhet të kujdesen për dikë që është i sëmurë – në mënyrë ideale, si pacienti ashtu edhe kujdestari duhet të vendosin maska.

Të gjitha viruset grumbullojnë mutacione me kalimin e kohës, pra, edhe virusi që shkakton Covid-19 nuk është i ndryshëm. Se sa janë të përhapura llojet e ndryshme të një virusi, kjo varet nga përzgjedhja natyrore – versionet që mund të përhapen më shpejt dhe të përsëriten në mënyrë të efektshme në trup do të jenë më të “suksesshmit”. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht diçka më të rrezikshme për njerëzit, meqenëse viruset që sjellin vdekjen tek njerëzit në mënyrë të shpejtë ose i bëjnë ata të sëmuren në atë masë sa të bëhen të paaftë për të jetuar më tutje,  ka pak të ngjarë të transmetohen.

Coronavirusi është më i rrezikshëm sesa gripi sezonal, dimëror. Shumë individë të cilët janë diagnostifukuar me koronavirus nuk do të pësojnë asgjë më keq sesa simptomat e gripit sezonal, mirëpo profili i përgjithshëm i sëmundjes, përfshirë shkallën e vdekshmërisë së tij, duket diç më serioze. Në fillim, kur ky virus shpërtheu në masë të gjerë, u kuptua se shkalla e vdekshmërisë mund të jetë e mbivlerësuar në rast se kemi mungesë infektimit me raste të lehta të këtij gripi. Megjithatë këtë javë, Bruce Aylward, ekspert i OBSH-së, sugjeroi se nuk kemi të bëjmë me një gjë të tillë sa i përket virusit Covid-19. Aylward i cili drejtoi një mision ndërkombëtar në Kinë për të mësuar rreth virusit dhe reagimit të Kinës ndaj këtij virusi, ka deklaruar nuk ka asnjë provë që ne po shohim vetëm majën e një ajsbergu të madh dhe se ajo që ne po shohim është një piramidë ku shumica e saj është nëntokësore.

Sipas tij, përmes testeve tjera kjo mund të nënkuptojë që vlerësimet e tanishme të një niveli të vdekshmërisë prej afërsisht 1% janë të sakta. Kjo do ta bënte virusin Covid-19 rreth 10 herë më vdekjeprurës sesa gripi sezonal, i cili vlerësohet se vret midis 290,000 dhe 650,000 njerëz në vit në nivel global.

Sa i përket shkallës së vdekshmërisë sipas moshës, shumica e njerëzve të cilët nuk janë të moshuar dhe të cilët nuk kanë probleme të mëdha shëndetësore nuk do të sëmuren rëndë nga Covid-19. Megjithatë, ky virus ka ende një shans më të lartë për të shkaktuar simptoma të rënda të frymëmarrjes sesa gripi sezonal dhe ka edhe grupe të tjera në rrezik – për shembull, punonjësit shëndetësorë janë më të prekshëm sepse ka të ngjarë të kenë ekspozim më të lartë ndaj virusit. Veprimet që ndërmarrin të rinjtë, të shëndetshëm, përfshirë raportimin e simptomave dhe udhëzimet e karantinës, do të kenë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e më të prekurve në shoqëri dhe në formimin e trajektores së përgjithshme të shpërthimit.

Në lidhje mundësitë e infektimit me Coronavirus, disa udhëzime spitalore thonë se një individ duhet të qëndrojë  përafërsisht dy metra larg një individi të infektuar që tështin ose kollitet për 10 minuta ose më gjatë. Sidoqoftë, është e mundur që të infektoheni me ndërveprime më të shkurtra apo edhe me marrjen e virusit nga sipërfaqet e ndotura, megjithëse mendohet se kjo është një rrugë më pak e zakonshme e transmetimit.

Sa i përket një vaksine kundër këtij gripi, shkencëtarët janë angazhuar qysh në fillim për zbulimin e një vaksine për coronavirusin. Zhvillimi i një vaksine të vlefshme vazhdon me intensitet, me disa ekipe tani që janë duke për testime tek kafshët. Sidoqoftë, provat shtesë që kërkohen përpara se një vaksinë të mund të zbulohej do të marrin akoma kohë të gjatë – duke u siguruar njëkohësisht se edhe efektet anësore të asaj vaksine potenciale janë evidentuar po ashtu. Një vaksinë e disponueshme kundër coronavirusit brenda një viti do të ishte diçka e shpejtë.’

Përgatiti: Nuhi Shala