Ilustrim

ShBA e Gjermania në "luftë" për kompaninë që po tenton ta zbulojë vaksinën kundër coronavirusit

Berlini po provon ta bindë një kompani gjermane, e cila është në kërkim të vaksinës kundër coronavirusit, që të mos e bartë kërkimin e saj në ShBA duke i nxitur politikanët gjermanë që të insistojnë se asnjë vend tjetër nuk duhet të ketë monopolin e ndonjë vaksine të ardhshme përveç Gjermanisë, shkruan sot agjencia e lajmeve Reuters.

Ministri gjerman i Shëndetësisë ka konfirmuar për gazetën Welt am Sonntag lajmin, i cili thotë se presidenti amerikan Donald Trump ka ofruar fonde të majme për të joshur kompaninë gjermane CureVac që të ketë të drejtat e saj ekskluzive apo edhe të bartet në ShBA ndërkohë që Qeveria gjermane është duke i bërë kundërofertat e saja në tentim për ta bindur këtë kompani që të mbetet në Gjermani. 

“Qeveria gjermane është shumë e interesuar në sigurimin e vaksinës dhe substancat aktive kundër coronoavirusit në mënyrë që kjo vaksinë të zhvillohet po ashtu edhe në Gjermani dhe në Europë”, citon gazeta në fjalë një zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë. 

“Në këtë drejtim, Qeveria është në komunikim intensiv me kompaninë CureVac”, tha ai.

E kontaktuar nga Reuters, një zëdhënëse e Ministrisë gjermane të Shëndetësisë ka deklaruar se ata e konfirmojnë raportin e gazetës Welt am Sonntag.

Gazeta Welt am Sonntag ka cituar një burim nga Qeverisë gjermane duke thënë se Trump po përpiqej të siguronte të drejtat ekskluzive të shkencëtarëve dhe do të bënte gjithçka për të marrë atë vaksinë për Shtetet e Bashkuara, “por vetëm për Shtetet e Bashkuara”.

E kontaktuar nga Reuters gjatë ditës së diel, Ambasada amerikane në Berlin nuk kishte asnjë koment në lidhje me çështjen në fjalë dhe njëkohësisht askush nuk ishte në dispozicion për ndonjë përgjigje nga kompania CureVac.

Welt am Sonntag tha se CureVac nuk pranoi të komentojë. 

Florian von der Muelbe, bashkëthemelues dhe shef i prodhimit në kompaninë CureVac, kishte deklaruar për Reuters javën e kaluar se kompania kishte filluar kontaktet me një mori kandidatësh për projektin për vaksinën kundër coronavirusit dhe tani ishte në selektim e sipër për të filluar me prova klinike. 

CureVac, kompani private me seli në qytetin Tuebingen në Gjermani, shpreson që të ketë arritur të jetë në posedim të një vaksine eksperimentale deri në muajin qershor apo korrik e prej ku pastaj të marrë dritën e gjelbër nga rregullatorët për të filluar testimin edhe te njerëzit.  

Në web faqen e saj, kompania CureVac thotë se shefi ekzekutiv, Daniel Menichella, më herët gjatë këtij muaji është takuar me presidentin Trump, Zv/presiedentin Mike Pence, anëtarët e Task Forcës kundër coronavirsuit nga Shtëpia e Bardhë si dhe me përfaqësues të kompanive farmaceutike dhe bioteknike për të diskutuar në lidhje me vaksinën në fjalë.  

Karl Lauterbach, profesor  i sektorit të shëndetësisë dhe epidemiolog, i cili po ashtu është edhe një ligjvënës nga Socialdemokratët, partnerë të koalicionit qeverisës me kancelaren Angela Merkel, duke reaguar në raportimin nga gazeta gjermane Welt am Sonntag përmes llogarisë së tij në Twitter ka deklaruar se “shitja ekskluzive e një vaksine të mundshme në ShBA duhet të parandalohet me të gjitha mënyrat. Kapitalizmi duhet të ketë kufij”.