Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

A do të shkoj në burg Ivan Todosijeviq, flet për KALLXO.com avokati i tij

Ish- ministri Ivan Todosijeviq ka pasur thirrje që të vuaj dënimin me burgim prej dy vitesh, i shpallur fajtor për veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes, pasi publikisht kishte deklaruar se masakra e Reçakut ku ishin vrarë 45 shqiptar e ndodhur me 15 janar 1999 gjatë luftës në Kosovë, ishte një trillim.

Gjykata ka kërkuar nga i njëjti që të paraqitet për vuajtje të dënimit në Burgun e Mitrovicës, gjatë ditës së sotme.

Deri më tani Todosijeviq nuk është paraqitur e as përgjigjur ftesës së organeve gjyqësore, ndërsa KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e tij, Nebojsha Vlajiq.

Ai nuk pranoi të tregoj vendndodhjen e të mbrojturit të tij.

“Unë nuk mund të them se ku është, por nuk është në shtetet e jashtme. Në presim të marrim thirrjen tjetër pasi një thirrje e bërë, nuk është pranuar (nga Todosijeviq) dhe më nuk kanë ardhur asnjëherë thirrje”, tha avokati Vlajiq në një prononcim për KALLXO.com.

Ai shtoi se pas një thirrjeje të dytë nga Gjykata, do të shohin se si do të veprojnë.

“Gjykata është e detyruar që të provoj dy herë të thërras me letër-thirrje. Ne do ta pranojmë nëse ajo do të vijë dhe më pastaj do të shohim”, tha avokati i Todosijeviq që mbante pozitën e zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Todosijeviq, në ish qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Vlajiq nuk pranoi të komentoj asgjë për respektimin e vendimit gjyqësor – mbajtjen e burgut nga Todosojeviq.

“Nuk mund të them asgjë rreth shkuarjes së tij në burg”, thotë ai.

Ndonëse dënimi për Todosijeviq është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes, avokati i tij nuk e quan të përmbyllur këtë proces.

“Presim vendim përfundimtar”, thotë ai për KALLXO.com.

Për avokatin Vlajiq, rasti i dënimit të Todosijeviq, përben shkelje.

“E çuditshmja është se këtu ka ndodhur shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, thotë ai gjatë komunikimit të shkurtër me telefon, pa dashur të specifikoj saktësisht se për çfarë shkelje pretendon.

Vlajiq sërish tregohet tërësisht i mbyllur edhe kur ri- pyetet se si do veproj klienti i tij mëtej, që tash ndodhet në arrati.

“Është një çështje mes avokatit dhe klientit, nuk mund të them asgjë tash”, përgjigjet ai.

Gjykata e Apelit i ka konfirmuar vendimin me burgim ish- ministrit Ivan Todosijeviq pasi i njëjti kishte thënë në një deklaratë se “Masakra e Reçakut është e sajuar”.

Ai për këtë deklaratë u akuzua dhe dënua me vendim të prerë për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Todosijeviq është gjetur nën strehën mbrojtëse edhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Njëjtë ka vepruar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç. Më 24 shtator ai mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media, për rastin Todosijeviq. Petar Petkoviç, tha se deputeti i Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i cili u dënua nga një gjykatë në Prishtinë me dy vjet burg për deklaratën e tij në lidhje me Raçakun është një njeri i ndershëm.

“I cili gëzon një reputacion dhe besim të madh në mjedisin e tij dhe është bërë simbol i vuajtjeve të popullit serb në Kosovë”, kishte thënë Petkoviç, duke shtuar se dënimi për Todosijeviqin, paraqet një vendim për të gjithë popullin serb në Kosovë.