Vdekjet e punëtorëve

750 mijë njerëz vdesin në vit në mbarë botën për shkak të punës për më shumë se 55 orë në javë 

Pothuajse 7% e vdekjeve vjetore janë të lidhura me punësimin, sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Vdekshmëria është më e lartë tek burrat sesa tek gratë.

Si një mjet esencial mbijetese për shumicën, çdo vit punësimi u merr jetën e pothuajse tre milionë njerëzve në mbarë botën. Nga këto vdekje, pothuajse 800,000 janë për shkak të punës më shumë se 55 orë në javë. Këto janë disa nga përfundimet kryesore të studimit Thirrje për një ambient pune më të shëndetshëm dhe më të sigurt (A call for healthier and safer ëork environments) i kryer nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe i publikuar javën e kaluar. Nga 2,96 milionë vdekje, 2,6 milionë janë për shkak të sëmundjeve që vijnë nga punësimi, të tilla  si problemet e qarkullimit të gjakut, kanceri dhe sëmundjet e frymëmarrjes. Pjesa e mbetur prej 330 mijë janë të lidhura me aksidente në punë.

Megjithatë, numri i vdekjeve në punë nuk po rritet me të njëjtin ritëm si popullsia. Me fjalë të tjera, proporcionalisht më pak njerëz vdesin për shkak të punësimit të tyre tani sesa në fillim të shekullit. Ndërkohë që vdekjet që vijnë nga puna janë rritur me 12% nga viti 2000 në vitin 2019 (të dhënat e referencës nga studimi i ILO), popullsia e punës është rritur me 26% në të njëjtën periudhë. “Mjetet diagnostike janë përmirësuar ndjeshëm në dy dekadat e fundit, duke kontribuar në një rritje të rasteve të zbuluara”, thuhet në raport.

Studimi i ILO, i përgatitur në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i lidh këto vdekje me rreziqet më të zakonshme në punë. Ai që shkakton më shumë vdekje (744,942) është ekspozimi ndaj orëve të gjata të punës mbi 55 orë në javë. Rreziqet e tjera që shkaktojnë më shumë vdekje përfshijnë ekspozimin ndaj gazrave dhe tymit (450,381), lëndimet në punë (363,283), ekspozimin ndaj asbestit (209,481), silicën (42,258), substancat që shkaktojnë astmë (29,641), rrezatimi diellor ultravjollcë (17,936), tymrat e shkarkimit të motorëve me naftë (14,728), arsenik (7,589), dhe nikel (7,301) sipas shifrave për vitin 2016.

Studimi gjithashtu i ndërlidh këto rreziqe me kohën që u kushtojnë punëtorëve (vitet e jetës të përshtatura me aftësinë e kufizuar, ose DALYS). Rreziku që u kushton punëtorëve më shumë vite jetë janë lëndimet e lidhura me punën (26.44 milionë), e ndjekur nga ekspozimi ndaj ditëve të punës më shumë se 55 orë (23.26), faktorët ergonomikë (12.27) dhe ekspozimi ndaj tymit dhe gazrave (10.86). . Raporti jep më shumë detaje: “Përqindja e kancerit të trakesë, bronkeve dhe mushkërive që i atribuohet ekspozimit profesional ndaj kromit u dyfishua ndërmjet viteve 2000 dhe 2016. Mesothelioma që i atribuohet ekspozimit ndaj asbestit është rritur me 40%. Shkalla e kancerit të lëkurës jo-melanoma u rrit me mbi 37% midis viteve 2000 dhe 2020. Nga ana tjetër, vdekjet për shkak të ekspozimit ndaj astmagjenëve [shkaktuesve të astmës] dhe grimcave, gazrave dhe tymrave janë ulur me mbi 20%.

Në lidhje me sëmundjet specifike, ILO tregon se 32.4% e vdekjeve në punë janë për shkak të problemeve të qarkullimit të gjakut, 27.5% nga kanceri, 14.3% nga sëmundjet e frymëmarrjes, 11.3% nga lëndimet, 7.2% nga sëmundjet infektive, 3% nga astma, 2.9 % për gjendjet neuropsikiatrike, 0,95 % për problemet gjenitourinar, 0,94 % për sëmundjet e tretjes dhe 0, 15 % për arsye të tjera. Sipas raportit, më shumë se 13 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me një dëmtim të të shikuarit të shkaktuar nga puna e tyre.

Raporti e vë theksin tek fakti se vdekjet e lidhura me punësimin përfaqësojnë 6.7% të të gjitha vdekjeve të regjistruara globalisht. Ky ndikim ndryshon sipas rajonit. Përqindja më e lartë është në Afrikë (7.4%), Azi dhe Paqësor (7.1%) dhe Oqeani (6.5%). Përqindja është më e ulët në Evropë dhe Amerikë. ILO e vë theksin tek bujqësia, pylltaria dhe peshkimi, minierat, ndërtimi dhe prodhimi si sektorët më të rrezikshëm, dhe gjithashtu fokusohet në ekonominë informale, në të cilën punonjësve u mungojnë “të ardhura të qëndrueshme ose të rregullta dhe mbrojtje adekuate ligjore ose sociale”. Po kështu, raporti thotë se ka shumë më shumë vdekje të lidhura me punën te meshkujt (51.4 për 100,000 të rritur në moshë pune) sesa te femrat (17,2 për 100,000).

Sa i përket Kosovës, bazuar në hulumtimin, “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe i Gjyqësorit”, realizuar nga hulumtues të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), si pasojë e aksidenteve në punë, nga viti 2011 e deri në gjysmën e vitit 2022 nga aksidentet në punë kanë vdekur 145 punëtorë.

Ndërsa, në 6 muajt e parë të këtij viti, 12 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës në Kosovë.

Përveç tragjedisë globale të vdekjeve në punë, ILO vlerëson se “395 milionë punëtorë në mbarë botën kanë pësuar lëndime jo vdekjeprurëse në vendin e punës”./El Pais