PSD me aksion para qeverisë - Në 6 muajt e parë të këtij viti, 12 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës

Partia Socialdemokrate e Kosovës të premten ka mbajtur një aksion simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës duke vizatuar disa figura të punëtorëve në hyrje të objektit të Qeverisë, duke reaguar për vdekjet e punëtoërve në vendet e tyre të punës.

Donjeta Demolli, anëtare e kryesisë në PSD, fajësoi Qeverinë e Kosovës se nuk ka lëvizur asgjë në gjendjen e mjerueshme të cilën e ka gjetur te punëtorët e ndërtimtarisë.

“Sa ishin në opozitë, Albin Kurti me partinë e tij premtonin shumë për punëtorët, gojën e kishin plotë solidaritet, drejtësi e barazi për punëtorët, e sot praktikat shfrytëzuese fillojnë që në zyrën e kryeministrit. Sot rregulloret e punës e të sigurisë anashkalohen, shfrytëzimi është i shfrenum e rrugëdalja e vetme që punëtorët e sektorit privat janë duke e gjet është migrimi jashtë Kosovës” – tha Demolli përgjatë fjalimit të saj.

Sipas Demollit, vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti 12 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës, ku një nga këta punëtor ishte duke punuar në një projekt të qeverisë.

Nëpërmes këtij aksioni, ata i bën thirrje qeverisë që ta njohë kontributin e punëtorit dhe t’i korrigjojë padrejtësitë sistematike me të cilat përballen ata.

Nga PSD konsiderojnë që punëtorët nuk po dëgjohen, të drejtat e tyre po shpërfillen dhe betejat e tyre janë të padukshme, sepse Qeveria e Kosovës nuk angazhohet për ta.

‘’Ne kërkojmë që qeveria ta adresojë me urgjencë pajisjen dhe masat e sigurisë të rrepta për punëtorët dhe t’i obligojë kompanitë që t’i aplikojnë rregulloret e punës edhe të mbrojtjes së punëtorit, edhe të garantojë pagë të dinjitetshme për secilin punëtor të Kosovës’’ – tha Demolli.

Duke ironizuar me dialogun me Serbinë si prioritet numër një për kryeministrin, Demolli ka pyetur se cili është dialogu i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, cili është prioriteti i tyre, dhe kur do të fillojë dialogu me punëtorët e Kosovës.

Sipas tyre, punëtorët po largohen nga Kosova për shkak të kushteve të vështira të punës, për shkak të pagave të ulëta dhe mungesës së vëmendjes së qeverisë ndaj tyre.