Komuna e Prishtinës miraton rregulloren për orarin dhe zhurmën nga gastronomia
Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar unanimisht rregulloren për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë me 45 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe abstenim.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, ka thenë se me këtë rregullore do vendosen pajisje për matje të zhurmës në lokalet e gastronomisë si dhe rregullohet orari i punës.
“Subjektet afariste të gastronomisë si kafenetë, restorantet, baret, klubet e natës do kenë të rregulluar orarin e veprimtarisë si dhe do u vendosen pajisje për matjen e zhurmës” – ka thënë ai.
Sipas projekt rregullores, orari i punës përcaktohet në bazë të llogaritjes verore dhe dimërore, në intervale kohore: periudha verore fillon më 1 prill dhe mbaron më 30 shtator; periudha dimërore fillon më 1 tetor dhe mbaron më 31 mars.
Derisa, dy orë shtesë mund të bëhen sipas vendimit të kryetarit Përparim Rama në muajin më të nxehtë kur janë edhe mërgata në vendin tonë.
Orari i tanishëm i punës është deri në ora 23:00, kurse me rregulloren e re do jetë deri në ora 24:00.
Taksa për lokale që punojnë pas orës 24:00 për klube të natës do jetë 10, 950 euro në vit, kurse për restorane, pompa të benzinës, lokale fast food 3,650 euro në vit.
Pajisja është prodhim vendor që mat nivelin e zhurmës, derisa softueri njofton pronarin për kalimin e decibelëve.
Në këtë rregullore tutje theksohet se, pronarët e lokaleve janë të obliguar që të lejojnë montimin e pajisjeve për matjen e nivelit të zhurmës në hapësirat e subjektit të tyre afarist dhe nuk guxojnë t’i dëmtojnë apo të marrin veprime të cilat pengojnë këto pajisje që të bëjnë matjen e nivelit të zhurmës.
Pajisja për matjen e zhurmës monitorohet nga një sistem softueri, të dhënat e të cilit mbeten pronë e Kryeqytetit.
Në zonën ku ka banim por edhe pjesa e industrisë, niveli maksimal i decibelëve është 65 gjatë ditës dhe 55 gjatë natës.
Gjitha lokalet do paguajnë taksë 180 euro në vit për t’u pajisur me certifikatë që u lejon muzikë në lokale.
Për të gjitha lokalet që nuk i përmbahen nivelit të decibelëve apo orarit të punës do aplikohen gjoba nga 500-5,000 euro.
Rregullorja pritet të hyjë në fuqi më nga janari 2023, derisa aplikimi i gjobave nga muaji prill pasi disa muaj do jenë fushatë vetëdijësuese.
Gëzim Sveçla nga LVV u shpreh i kënaqur me këtë rregullore por e konsideroi si problematikë implementimin e saj.
“Do jetë sfidë implemtnimi i kësaj rregulloreje në praktikë, si grup parlamentar e përkrahim këtë rregullore”, u shpreh ai.
Kjo rregullore fillimisht ka kaluar në tre diskutime publike me: pronarë lokalesh, qytetarë dhe policinë.
Për kalimin e kësaj rregulloreje ka reaguar edhe nënkryetarja e komunes, Donjeta Sahatçiu e cila ka qenë edhe pjesë e grupit punues si dhe diskutimeve publike.
Sahatçiu ka falenderuar asambleistët për votimin e kësaj rregulloreje që, sipas saj, ka sjellë standart të ri.
“Si udhëheqëse politike e këtij procesi disa mujor falenderoj sinqerisht asambleistët e të gjitha subjekteve politike për konstruktivitetin dhe mbështetjen në të mirë të qytetit. Krenare me punën e grupit dhe angazhimin shembullor të qytetarëve edhe sepse me këtë rregullore e kemi krijuar një standard të ri për trajtimin e rregulloreve në Kryeqytet”- është shprehur ajo.
Detaje nga diskutimet publike dhe draft rregulloren e komunës i gjeni këtu.
Në kuvendin komunal nuk janë dhënë detaje nëse janë marr parasysh kërkesat nga diskutimet publike.
Kërkesat e qytetarëve e gastronomëve për rregulloren e re lidhur me orarin dhe zhurmën nga lokalet