Pajisje per matjen e decibeleve/zhurmes. Foto: Enis Hyseni/Facebook

Gastronomia në Prishtinë nis të pajiset me mjete për matje të zhurmës

Pas tri diskutimeve publike me qytetarë, përfaqësues të lokaleve dhe Policisë, Komuna e Prishtinës në dhjetor 2022  ka miratuar një rregullore për përcaktim të orarit të punës dhe matjes së nivelit të zhurmës në lokalet e gastronomisë.

E gjitha kjo për të parandaluar dhe shmangur bezdisjen e qytetarëve pas ankesave të shumta nga ana e tyre.

Nga muaji mars 2023, komuna ka hapur thirrjen që lokalet të aplikojnë për t’u pajisur me këto mjete për matje zhurme, procesi pritet të zgjasë deri në fund të muajit prill – me mundësi zgjatje. 

Orari i punës sipas rregullores

Në këtë rregullore janë të përfishira subjektet afariste si kafenetë, baret, restorantet, klubet e natës, ndërsa orari është i përcaktuar në bazë të zonës urbane, rezidenciale dhe rurale. 

Orari i punës në kafene dhe restorane sipas kësaj rregulloreje, duhet të jenë brenda kornizës kohore 07:00- 24:00. 

Orari i punës për këto lokale do përcaktohet me periudhën verore dhe dimërore. Periudha verore fillon nga 1 prill deri më 30 shtator, derisa koha dimërore nga 1 tetor deri më 31 mars. Derisa, kryetari me urdhër të vecantë mund të mund të lejojë zgjatjen e orarit për dy orë shtesë gjatë periudhës 15 korrik- 15 gisht dhe 20 dhjetor-10 janar. 

Orari në klube të natës rregullohet sipas zonave: 

Periudha verore në zonë urbane nga ora 24:00-03:00, përpos të premteve dhe shtunave, nga 24:00-05:00 dhe në zonë industriale dhe rurale nga 24:00-05:00 dhe të premteve e shtunave deri në 08:00. 

Derisa, periudha dimërore në zonë urbane fillon nga ora 23:00-02:00, përpos të premteve dhe shtunave nga 24:00-04:00, derisa në zonë rurale dhe industriale nga 24:00-05:00. 

Kurse, për hapësira tjera të gastronomisë si hotele, salla të dasmave, pompa benzine, qendra rekreative, periudha dimorëore është me orar 07:00-24:00 dhe ajo verore 06:00-24:00. 

Klubet e natës që kanë të drejtë të punojnë pas orës 24:00, sipas kësaj rregulloreje, duhet të paguajnë taksë ndaj komunës me vlerë prej 10,950 euro në vit. 

Pajisjet për matjen e decibelëve

Komuna e Prishtinës tashmë ka blerë 1,000 pajisje për matje të decibelëve, për të cilat do aplikojnë lokalet e gastronomisë dhe taksohen me 180 euro për furnizmin me këtë mjet.

Pajisja për matjen e zhurmës monitorohet nga një softuer, të dhënat e të cilit mbeten në pronësi të komunës. 

Ky softuer do përmbajë të dhëna si: nivelin e tejkaluar të zhurmës, datën dhe kohën kur ka ndodhur tejkalimi, vendin dhe të dhënat e subjektit. 

Shkelja e rregullores dhe gjobat

Tejkalimi i nivelit të zhurmës konsiderohet shkelje nëse ndodhë në periudhë 5 minuta pa ndërprerje. 

Po ashtu, nëse brenda 5 orësh ka shkelje 3 herë në intervale më shumë se 2 minuta, konsiderohet shkelje. 

Për shkelje të kësaj rregulloreje lidhur me orarin e punës dhe nivelin e lejuar të decibelëve, gjobat variojnë nga 500-5000 euro, ku përfshihet mos respektimi i orarit, mospajisja me mjetin për matje zhurme, pengesa gjatë montimit të pajisjes së zhurmës, tejkalimi i decibelëve. 

Në rastet kur shkeljet përsëriten disa herë,  Inspkeconi i komunës mund të ndal veprimtarinë deri në 8 ditë. 

Qëndrimi i gastronomëve

Arian Vranica, përfaqësues i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës në një deklarim për KALLXO.com ka bërë të ditur se deri tani rreth 200 lokale kanë aplikuar për këto pajisje.

Sipas tij, shkak ka qenë edhe mosinformimi i mjaftueshëm.

“Në bazë të dhënave që kemi si shoqatë e gastronomëve deri tani kanë aplikuar rreth 200 lokale për këto pajisje. Shkak për këtë është se edhe informatat nuk kanë qenë të mjaftueshme sepse kanë menduar se janë vetëm për ato lokale që organizojnë ndeja”- tha ai.

“Lokalet paguajnë 180 euro për taksë dhe mirëmbajtje për këto pajisje”- shtoi tutje ai.

Vranica potencoi se në të ardhmen një lokal mund të ketë më shumë se një senzor zhurme – bazuar në metrat katrorë.

“Ne kemi pas diskutim publik me përfaqësues të Komunës ku e kemi diskutuar këtë rregullore. Fillimisht është përcaktuar një senzor për lokal, por në të ardhmen mbetet të caktohet në bazë të metrave katror të lokalit, pra mund të ketë më shumë se një pajisje”- shtoi tutje ai.

Sipas tij, nuk ka lokale që refuzojnë të marrin këto pajisje.

 “Në fillim ka pas pak dyshime, por testimet janë bërë dhe kanë rezultuar me sukses”- theksoi tutje Vranica.

Ai bëri të ditur se kurdo që nis shqiptimi i gjobave, do bëhet nga inspekconi pasi ata kanë serverët me gjithë të dhënat. Derisa, gjobat shkojnë përmes postës.

Komuna e Prishtinës miraton rregulloren për orarin dhe zhurmën nga gastronomia