
Mungesa e kujdestarive - Kryeqyteti së shpejti me orar të punës së barnatoreve
Komuna e Prishtinës pritet që së shpejti të rregullojë orarin e shërbimit farmaceutik në kryeqytet.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunë, Izet Sadiku bëri të ditur se sot ka takuar përfaqësues të Odës së Farmacistëve lidhur me këtë çështje.
“Jam takuar sot me përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve të Kosovës në krye me Dr. Arianit Jakupi kryetar për të diskutuar rregullimin e orarit të punës së barnatoreve dhe shërbimit farmaceutike në kryeqytet”- bëri të ditur Sadiku.
Sipas tij, gjatë kohës sa mban pozitën e drejtorit ka marr ankesa nga qytetarët për mungesë të kujdestarive në barnatoret e kryeqytetit.
Tutje, ai shtoi se duke u bazuar në rregullore të komunës dhe Odës së Farmacistëve do rregullojnë orarin e punës.
“Gjatë kësaj periudhe sa jam drejtor i shëndetësisë kam pasur ankesa nga qytetarët për mungesën e orarit të punës së kujdestarive të barnatoreve në kryeqytet. Ne kemi filluar diskutimet me OFK, Odën e Farmacistëve të Kosovës për të adresuar shqetësimin e qytetarëve dhe jemi pajtuar që duke pasuar parasysh rregulloret e komunës dhe rregulloret e OFM do të rregullojmë orarin e punës së barnatoreve në kryeqytet”- shtoi tutje Sadiku.