Vdekja e punëtorëve në vendin e punës

Vdekjet e punëtorëve në vendet e punës

Si pasojë e aksidenteve në punë, nga viti 2011 e deri në gjysmën e vitit 2022 nga aksidentet në punë kanë vdekur 145 punëtorë.

Të dhënat tregojnë që veprimet e institucioneve nuk kanë arritur të ndikojnë në uljen e vdekjeve pasi numri i vdekjeve është rritur vit pas viti.

Këto të dhëna kanë dalë nga hulumtimi, “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe i Gjyqësorit”, realizuar nga hulumtues të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), shpërfaqet niveli i ulët të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës.

Në mesin e tyre janë edhe persona, ku rrëfimi i familjarëve për humbjen e tyre u dokumentua në emisionin “Kallxo Përnime”.

Krenar Jemini vdiq në vendin e tij të punës, më 24 shkurt 2019.

Babai i tij, Emini ka rrëfyer për “Kallxo Përnime”, momentin kur e kuptoi për vdekjen e djalit të tij që ishte vetëm 22 vjeçar.

Ai thotë që kushtet ekonomike e kanë shtyrë Krenarin që të punonte pasi që vetëm me një pagë të tij nuk ishte e mundur t`i shkollonte të gjithë fëmijët.

Andaj Krenari ishte punësuar që t`i financonte studimet e veta dhe t`i ndihmonte babait.

Jemini: Prej që më vdiq djali më asgjë nuk është e njëjtë në familjen tonë

“Më 24 shkurt, jam kanë në orar të punës edhe vëllai më ka thirrë në telefon më ka tregu që Krenari është lënduar, jam nis për Prishtinë me gjithë të, edhe kur shkuam për fat të keq kish ndërru jetë”, rrëfen me një gjysmë zëri babai i Krenarit.

Ai tregon edhe për incizimet që i kishte parë ku tregonin për mënyrën e vdekjes së djalit të tij nga aksidenti në vendin e punës.

“Don me kap diçka dhe në moment e ka kap traka edhe e ka ngulfat. 17 minuta nuk është 1 minutë, askush se ka pa me i dhanë ndihmë”, thotë Emin Jemini.

Janë bërë 4 vjet nga vdekja e Krenarit, por babai i tij, Emini thotë që askush nuk e ka telefonuar për asgjë.

“As ata të kompanisë kurrë as s`më kanë thirrë në telefon as asgjë s’më kanë vet, përveç kur ka vdekur Krenari na ka ndihmuar financiarisht. Kur kam dalë në media ka çu njerëz se pse ke dalë në media, se si me ja bo, por unë kam thënë që nëse më ka borxh diçka le të merret dikush tjetër me të”, ka vazhduar më tej rrëfimi i babait të viktimës.

Ai ka shtuar se do të bëjë padi ndaj kompanisë në të cilën humbi jetën djali i tij, Krenari.

Kryefamiljari iu vdiq në vendin e punës, familja paditë kompaninë

Kamber Bytyqi nga Prizreni është një tjetër viktimë që vdiq në vendin e tij të punës më 12 tetor 2017. Bytyqi punonte në ndërtimtari.

Driton Bytyqi, djali i viktimës, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka rrëfyer për ngjarjen.

Ai për vdekjen e babait thotë se kishte dëgjuar nga kolegët e tij.

“Pajisje nuk kanë pasur sepse s’kanë shumica e firmave, por aty ka qenë neglizhencë sepse komplet 6 kate kanë qenë pa mbrojtëse, komplet e hapur, e ajo është dashur të mbyllet”, rrëfen djali i viktimës.

Vdekjet e tilla tragjike në vendin e punës, Dritoni thotë që janë shumë të dhimbshme por sipas tij kjo mund t`i ndodh çdo kujt.

“E kena marr shtruar, me qetësi, janë gjëra që ndodhin, por ka mundur të evitohet, këtë e ka dëshmu edhe gjykata. Po të ishte puntoria e mbyllur siç thash unë, babai do të ndalej në katin poshtë”, rrëfen djali i viktimës.

Driton Bytyqi ka ngritur padi ndaj kompanisë ku punonte dhe i vdiq babai. “Padinë e kam ngritur pas 6-7 muaje masi nuk më janë përgjigjur financiarisht edhe pse nuk është bërë asgjë rreth kësaj çështje ende”, thotë Dritoni.

Kamber Bytyqi mbante familjen me punën që bënte.

“Babi u kanë kryefamiljar unë kam qenë student, vëllai edhe punonte nganjëherë edhe studionte por rrjedha e jetës ndryshoi”, thotë ai më tej.

Ai u bën thirrje institucioneve kompetente që të marrin masa lidhur me këto raste.

Kamber Bytyqi kishte punuar jashtë vendit por ishte kthyer në Kosovë për shkak të rrethanave familjare.

Vdiq pasi ra nga skelet duke punuar në një palestër sportive

Milaim Ibriqi, është vëllai i Kujtimit, i cili humbi jetën në vendin e tij të punës.

Ai ka rrëfyer ngjarjen për emisionin “Kallxo Përnime”.

Kujtim Ibriqi vdiq më 8 prill 2023.

Milaimi tregon që i vëllai kishte filluar të punonte qysh në moshën 18 vjeçare. Ai nuk e di se a e kanë sjell të gjallë apo të vdekur në ambulantë në Kamenicë, ku edhe kishte vdekur Kujtimi.

“E di që kanë thënë që ka rënë prej skeles, s’ka pasur mbrojtje hiç prandaj ka ra prej 7 metrave . U kanë sallë e sportit e mrenshme beton poshtë”, thotë i vëllai i viktimës.

Ai ka shtuar që kushtet e rënda ekonomike e kanë shtyrë Kujtimin të punonte në ndërtimtari.

“Shteti i dobët, me punë krahu nga anej, nga anej me mbajt familjen, puntor krahu, me rreziku çdo sen për me mbajt familjen”, vazhdon rrëfimin ai.

Milaimi tregon se i vëllai nuk ka pasur kontratë pune me kompaninë ku punonte.

“Po dua me ditë qysh ka ndodh rasti por nuk pe di, dokumentacionin e ka mas inspektorati dhe e kanë dërgu në gjykatë”, tregon me tej ai.

Kujtimi la pas gruan dhe dy fëmijët të cilët jetojnë në kushte të vështira.

“Tash për tash se di qysh jetojnë pas vdekjes së tij”, thotë ai përderisa shton se prej institucioneve presin drejtësi.

“Natën para vdekjes na mblodhi për çaj” – Rrëfimi për vdekjen e vëllait në vendin e punës

145 punëtorë kanë vdekur në vendet e tyre të punës nga viti 2011 deri në gjysmën e vitit 2022, në mesin e tyre është edhe Idriz Gërbeshi, i cili vdiq nga shembja në Minierën e Novobërdës më 2 shkurt të vitit 2020.

Vëllai i tij në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se natën para se të vdiste Idrizi i kishte mbledhur të gjithë për çaj.

“U kanë tip shumë i dashtun për vllaznillëk, na ka mbledh gjithmonë, ka pas qef shumë me dalë. Për herë të fundit me të jemi takuar një natë përpara se të vdiste. Na ka thirrë për darkë i kemi thënë që e kemi kry, tha hajdi pra pimë çaj, e kemi përvlu, hazër e kemi, thamë po, me shaka thoshte ‘merri gjygymat e hajde’, se po kam qef me ju pa. Jemi shku me vëllain, Fadilin edhe kena nejt deri në 12:00, se ishim të dytë në ndërrim të parë”, ka rrëfyer Adem Gërbeshi, vëllai i Idrizit.

Nga shembja që ndodhi atë kohë në Minierën e Novobërdës, bashkë më Idrizin vdiq edhe një minator tjetër. Nxjerrja e trupave të tyre zgjati 12-13 orë.

“Unë kam qenë në punë se edhe unë punoj minator, e kam pas informatën se çka ka ndodh, pastaj i kemi lajmëruar familjarët, shoqen e fëmijët. Janë ardh ekipet e shpëtimit edhe ka ora 1-2 të mëngjesit i kanë nxjerr”, rrëfen vëllai i viktimës. Adem Gërbeshi thotë se vëllai i tij ishte ndër xehtarët më të mirë.

“Aty nuk ishte vendi i tij i punës, u largu prej vendit, ku u kanë t`u punu dhe u dalë 3-4 metra t`u bisedu me inxhinierin për një tjetër punë m`u kry edhe në atë moment i ka zënë guri”, vazhdon rrëfimin Adem Gërbeshi.

“Menaxhmenti i minierës e ka punësu djalin e vëllait, tash jetojnë me qat pagë. Ai po punon në depo”, thotë Adem Gërbeshi. Ai ka shtuar se Idrizi në momentin e vdekjes i ka pasur të gjitha pajisjet mbrojtëse të punës. “Unë jam kujdestar aty dhe e di që i kanë pasur të gjitha pajisjet të vendosura, nuk mund ta fajësoj askë. Zoti e ka shkru me ndodh, nuk është faji i pajisjeve”, thotë ai.

“Më dhanë injeksion para se të më jepnin lajmin për vdekjen e Florimit”

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, në emisionin “Kallxo Përnime”, rrëfimin e saj për humbjen e bashkëshortit e ndau Valentina Shala, e cila mbeti e vetme me 5 fëmijët e saj.

Bashkëshorti i saj, Florim Shala vdiq në vendin e tij të punës, gjatë ndërtimit të një rruge në Mitrovicë.

Valentina ende e ka të freskët dhimbjen për humbjen e bashkëshortit, ajo kujton që para se t’ia kumtonin lajmin për vdekjen e tij, i kishin dhënë injeksion për ta qetësuar.

“Menojsha që po vjen prej punës, më thoshin që veç pak u vra, pastaj më ka rënë të fikët më kanë dërguar në spital ku më kanë dhënë injeksion, s’kam ditë kurrgjë, pastaj më kanë treguar”, rrëfen Valentina.

Florim Shala vdiq më 4 nëntor 2022.

“U kanë t`u punu, betonjerët e kanë mytë, u kanë t`u i bajt në Mitrovicë, zinxhirët i kanë ra mbi kry me hez dhe e kanë mbyt”, rrëfen Valentina me lot në sy. Ajo ka shtuar se ende nuk e ka të qartë komplet ngjarjen.

“Mua kërkush s’më ka kallxu qysh ka ndodh ngjarja, unë pritsha që po vjen prej pune, ata thojshin jo vetëm pak është lënduar, më ka ra të fiktë e m’kanë çu në spital s’kam ditë asgjë deri burri i motrës më ka shprehur ngushllime për vdekjen e Florimit, qatëherë e kam kuptu”, vazhdon rrëfimin Valentina. Ajo kujton fjalët e bashkëshortit të saj rreth punës së tij.

‘Baba i binte tokës me kokë, kur kuptoi për vdekjen e djalit 30 vjeçar’

Valon Berisha është një tjetër viktimë i cili humbi jetën në vendin e tij të punës më 24 maj të vitit 2018.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, vëllai i tij, Ramadani ka rrëfyer tragjedinë e familjes së tij. Valoni vdiq në një aksident në punë në moshën 30-vjeçare.

“Jeta e tij ka qenë shumë e mirë derisa filloi të punonte në ndërtimtari. Kjo lloj pune i është imponuar pasi që nuk mundi të punësohej në profesion të vet, por ndodhi çka ndodhi, më se kemi”, fillon rrëfimin vëllai i Valonit, Ramadani.

Ai thotë se ndonëse nuk ka pasur nevojë për të punuar, nuk ka dashur t’i bëhej barrë askujt.

“Ai ka dashur vet ta mbajë familjen edhe pse kemi punuar unë e baba, po e ka dashtë qat punë edhe s’ka pas qef me kanë i varun prej kërkujna. Ai filloi këtë punë nga mosha 25-vjeçare, kohë pas kohe ka punuar edhe si mësimdhënës sepse ai e kishte të përfunduar edukatën fizike, por vende të lira s’ka pas, mandej punonte herë mësues e herë në ndërtimtari”, vazhdon rrëfimi i Ramadanit.

Valoni punonte në ndërtim të lartë.

“I hiqte dërrasat, shtyllat në ndërtime të larta, i hiqte plloqat me i demolu por ka punuar edhe në armaturë. Për këto rreziqe në vendin e punës ka treguar se zakonisht s’kanë pasur mjete mbrojtëse, edhe në katin e 5-të s’kanë pasur skele, që do të thotë kanë ecur rreth objektit pa mbrojtje, senin kryesor, skelen edhe rrjetën se kanë pasur”, përshkruan Ramadani, vendin e punës ku vdiq vëllai i tij.

Thotë që rastin si ka ndodhur e dinë “pak a shumë”.

“Qysh na ka thënë policia, sepse unë me babin kemi qenë te mjeku në Shqipëri, tani e kemi marr vesh përmes vëllait tjëtër, rasti ka ndodhur në mëngjes herët 07:30, ishte duke i bërë disa demolime rrethit të objektit në katin e parë, por pozita ka qenë shumë e keqe, duke e bërë demolimin e ka tërhek pesha e tij dhe e ka hedh në tokë dhe ka vdekur menjëherë sepse kokën e kishte të lënduar”, thotë ai.

Kompania në të cilën ka ndodhur rasti i ka dhënë një banesë fëmijëve të viktimës dhe një pension.

“Gruan, çikën edhe djalin i ka lënë pas, çika në klasë të dytë djali në klasë të parë. Marrë parasysh rrezikshmërinë, nuk ia ka vlejtur ajo pagë, por ai donte të mos varej nga askush”, thotë ai.

Momenti kur e marën lajmin për vdekjen e Valonit?

“Lajmin e kemi përjetuar shumë keq, rast ma të rëndë s’di a ka, me shku dikush në punë i gjallë e me u kthy i vdekun, në kohën më të mirë, 30-vjeçar, u kanë shumë rëndë si për ne si për gruan e tij dhe fëmijët, por mesazhi im për këta punëtorë është që t’i përdorin mjetet mbrotëse të punës dhe të kenë shumë kujdes, që me shku e m`u kthy gjallë nga puna”, ka thënë Ramadani.

Ai ka treguar edhe herën e fundit që e ka parë të gjallë vëllanë.

“Atë mëngjes u zgju në 06:30 me shku në punë ne shkonim për Shqipëri, edhe e kemi lut mos me shku në punë sot por hajde me ne në Shqipëri, por ai tha jo mos ta humb ditën, ne jemi nis ai për punë edhe na kanë lajmëruar për rastin qysh ka ndodh”, thotë tutje ai.

Ramadani e kishte shumë të vështirë t’ia kumtonte lajmin për vdekjen e Valonit, babait të tij.

“3 orë nuk kam guxu me i dalë babës përpara, por kam prit derisa ka ardh prej Kosove një mixhë për me i kallxu, ia kanë dhënë babait dy ineksione për me e qetsu, tani i kena kallxu. Reagimi i babait ka qenë shumë i dhimshëm, tokës me kry i ka ra, aq që s’besonte, më thoshte mua a ka ndodh përnjëmend?”, rrëfen Ramadani.

‘S’kam ditë qysh e kanë çu te varret, më kanë dhënë qetësues’

Hajrie Emini në emisionin “Kallxo Përnime”, ka ndarë rrëfimin e saj për humbjen e djalit në vendin e tij të punës. Naim Emini, 38-vjeçar vdiq në aksident në punë më 31 maj të vitit 2019.

“Atë ditë derisa ishte duke shkuar në pauzë të drekës ka rrëshqitur dhe në vend e ka lëshu shpirti, kamerat janë kanë, se rrëzohen edhe prej lartësisë edhe nuk vdesin, por ndoshta e ka pasur dekën”, thotë Hajrie Emini, nëna e Naimit.

Emini kujton ditët para se të vdiste Naimi.

“Pak para se me vdek, 3-4 ditë si kishte, ish pas shku i ka marrë letrat në fakultet, i thash ‘Pse i ke marrë?’ sepse m`u dok sikur m`u zhduk, më erdh mërzi se jam gzu kur u regjistru, tha ‘I mora nanë se pse me m’hup’. A ka dashur të studionte për rrymë”, tha ajo.

Ajo thotë se këtë punën e fundit që e kishte bërë Naimi nuk e kishte dashur.

“Këtë punë nuk e kishte zanat andaj edhe ata te puna e angazhonin për gjëra të lehta, e kanë rue si me pas evlad të vetin, por na veç për rrogën e tij jemi varë. S’kemi pasur të ardhura tjera, veç që s’ka pas ka punu”, vazhdon rrëfimin Hajria.

Ajo ka rrëfyer momentin kur e kuptoi që djali i kishte vdekur.

“Atë moment kam hup krejt, m’kanë çu në spital më kanë dhënë ineksion, qitu e kanë pru as s’kam ditë qysh e kanë çu te varret, as kurrgjë”, rrëfen ajo me gjysmë zëri. Mbrëmjen e fundit që e kishin parë të gjallë, thotë se e ka ndier që diçka do të ndodhte.

“Diçka veç u sillke, e kam vërejt në mbrëmje, sikur kur të merr malli, në çdo vend shikonte në shpi, shkojke te mixha i vet, vike, unë veç e përcillsha qashtu, po unë e kam ditë që diçka ka me ndodhë”, rrëfen nëna momentet e fundit që kishte parë djalin gjallë.

64% e dosjeve të aksidenteve në vendet e punës dhe të drejtave të punëtorëve vazhdojnë të qëndrojnë në arkivat e institucioneve të drejtësisë.

Gjykatat nuk arrijnë t’i përfundojnë me kohë këto raste, ndërkohë tragjeditë e humbjes së familjarëve në vendet e punnës po vazhdojnë të rrëfehen.

“Nuk ka pasur interesim nga institucionet për vdekjen e vëllait”, rrëfimi për humbjen e familjarit në vendin e punës

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Mursel Kryeziu, e ka ndarë rrëfimin e tij për humbjen e vëllait, Sefer Kryeziu.

Ai vdiq në vendin e tij të punës më 24 shtator 2018, afër përfundimit të orarit të punës.

“Ai ishte duke i çmontuar disa dërrasa pas betonimit dhe ka ndodh një pakujdesia dhe i ka ra një dërras në kokë pastaj e kishte humbur ekuilibrin se ka qenë anash në skaje të objektit, i cili ka qenë i parrethuar dmth s’ka pas siguri fizike për punëtorët, as punëtorët s’kanë qenë të lidhur siç do të duhej dhe ka rënë nga kati i katërt në beton dhe brenda 17 minutash ka ardhur ekipi mjekësor e kanë dërguar në spital por aty ka ndërru jetë”, rrëfen Murseli.

Ai thotë që vëllai i tij s’ka pasur ndonjë përgatitje tjetër profesionale pos ndërtimtarisë.

“Krejt çka ka mundur të punojë dhe t’i realizojë të ardhurat familjare, ka qenë puna në ndërtim”, tha më tej Mursel Kryeziu.

Ai thotë se përkundër shpjegimeve se si ka ndodhur rasti, prapë është enigmë për familjen.

“Ai ka pas një lëndim në kokë, që ne e kuptojmë si lëndim para rënies, dmth mund të ketë qenë pakujdesia e bashkëpunëtorit që ka ndodhur ajo, se ky ka qenë mjaft i kujdesshëm në punë, megjithatë kjo mbetet ashtu siç e kishte përshkruar mjekësia ligjore, si plasje të zemrës në momentin e rënies, nuk du me lëndu askënd pasi që edhe ai që e dëgjon mund të ndihet si fajtor për rënien e vëllait nga ajo lartësi” – vazhdoi Mursel Kryeziu.

Sefer Kryeziu la pas vetes gruan dhe një vajzë.

“Vajza jeton në Vjenë, jeton mirë, dhe kjo na bën neve që të ndihemi mirë sot” – thotë me lot në sy Murseli.

Vëllezërit e Murselit, i kanë blerë një banesë gruas së tij duke e shpërngulur nga fshati ku jetonin bashkë me bashkëshortin.

“Jemi afër me të, në të njëjtën hyrje, që ta kemi afër dhe ta ndihmojmë në çdo rast pasi e vetmja e ardhur ka qenë puna e krahut që ka bërë vëllai, pas vdekjes së tij u këput ajo vijë e të ardhurave, sot bashkëshortja e vëllait nuk ka të ardhura të rregullta” – thotë Murseli.

Më tej ai ka thënë se si familje nuk kanë pasur komunikim me asnjë nga institucionet përgjegjëse lidhur me këtë rast.

“Përveç ardhjes për ngushëllime të zyrtarëve komunal, si e kanë traditë të shprehin ngushëllime, ndonjë interesim tjetër për familjen që e ka humbur dikë në vend pune, nuk ka pasur”, thotë ai.