Blerim Avdiu, në bankën e të akuzuarve. Ai akuzohet për kanosjen e ministrit në detyrë, Faton Peci | Foto: 26.05.2025/Pallati i Drejtësisë

6 muaj burgim ndaj mërgimtarit, akuzohet se kanosi ministrin në detyrë Faton Peci

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor Blerim Avdiun, i cili nga Prokuroria po akuzohet se ka kanosur ministrin në detyrë Faton Peci.

Sipas Aktgjykimit të shpallur Blerim Avdiu për veprën penale “kanosja” u dënua me 6 muaj burgim efektiv, të cilin dënim i akuzuari do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.

I pandehuri Blerim Avdiu po akuzohet se më 02.03.2025, përmes rrjetit social Facebook, me dashje, e ka “kanosur seriozisht” ministrin në detyrë Faton Peci, duke i dërguar mesazh me fjalë fyese dhe kanosëse.

Shpallja e Aktgjykimit u bë të mërkurën, më 28.05.2025, nga gjyqtarja Valbonë Fejza.

Sipas Aktgjykimit të shpallur në dënimin me burgim të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 14.03.2025 deri më 26.03.2025, si dhe masa në arrestin shtëpiak nga data 26.03.2025 deri më 13.04.2025.

Obligohet i dënuari që në emër të shoenzimeve të procedurës  të paguajë 20 euro në emër të Paushallit gjyqësor, si dhe 20 euro në Fondin për Kompenzimin e Viktimave të Krimit.

Në shpallje të Aktgjykimit nuk ishin prezent asnjë nga palët në procedurë.

Pala e dëmtuar për realizmin e Kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontekst të rregullt juridiko-civil.

Palët e pakënaqura kundër këtij Aktgjykimi kanë të drejtë Ankese në Gjykatën e Apelit.

Kujtojmë se në seancën e Shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 26.05.2025, i pandehuri Avdiu e kishte pranuar fajësinë dhe i kishte kërkuar falje ministrit në detyrë Faton Peci.

Dosja e Prokurorisë

Sipas Aktakuzës, më 26.03.2025, Blerim Avdiu po akuzohet se më 02.03.2025, me rastin e një postimi të një fotostorie në Facebook, nga i dëmtuari Faton Peci si Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me dashje, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin, duke i dërguar mesazh me fjalë fyese dhe kanosëse, si: “Kryekriminel, ti q**** edhe ata të vdekurit. Unë kam me të vra, jo tjetër kush. Kryekriminel, ti gjallë e unë gjallë! Nuk kemi me jetu. Njo po t’tham, qat dit që të m’rri në Ks asnjani nuk kena me kanë këtë jetë, o bir sh****, o bir sh****, ta dishë edhe vorrin e nanës. Kryeminel, mos harro më 28 maj jam në kufi. Veç me ardh me të v** ty kam me ardhë. Dije mirë!”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.

Me këtë i pandehuri Blerim Avdiu po akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja”.