35 vjeçari kapet nga Policia e Shtetit me rreth 25 mijë euro të padeklaruara

Policia shqiptare ka njoftuar se janë sekuestruar 24,980 euro të pa deklaruara.

Sipas policisë së shtetit ky rast ka ndodhur në kufi në dalje të Republikës së Shqipërisë dhe bëhet fjalë për një 35 vjeçar nga Pogradeci.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me autoritetet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin F. R., 35 vjeç, banues në Pogradec”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Veprimet e mëtejshme, siç njofton Policia, u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik – Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë në Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj 35 vjeçarit.

Ndryshe ky rast është cilësuar si rast i mos deklarimit të të hollave në kufi.