Foto: Kryeministria
16 vjet shtet - 117 shtete e njohën pavarësinë e Kosovës
Kosova feston sot më 17.02.2024, 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Deri më tani, pavarësia e vendit është njohur nga 117 shtete gjithandej botës.
Vendi i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Kosta Rika, më 17.02.2008, ditën e shpalljes së saj.
Ndërtesa, një ditë pas, më 18.02.2008 erdhën edhe gjashtë njohje të tjera. Vendi i dytë që e njohu Kosovën shtet ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ndërsa, shteti i fundit që e ka njohur Kosovën shtet është Izraeli më 05.09.2020.
Lexo këtu listën e plotë të shteteve që e kanë njohur Kosovën.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.
Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.
Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024