Abdixhiku: Shtëpia nuk mbahet pa miq
Në seancën solemne, e mbajtur më 17.02.2024 në Kuvendin e Kosovës, për nderë të 16-vjetorit të pavarësisë së vendit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se pa miqtë ndërkombëtarë, Kosova nuk do të ishte shtet siç është sot.
Ai ka thënë se pa miq, shtëpia nuk mbahet.
Tutje, kryetari i LDK-së ka kujtuar përpjekjet e gjithë atyre që kontribuuan për pavarësinë e vendit.
“Sot në këtë ditë madhështore ne kujtojmë me nderim e mirënjohje, lëvizjen më të madhe shqiptare në Kosovë, atë për liri e pavarësi e për demokraci, kujtojmë momentin e bashkimit tonë si popull rreth idealeve të palëkundura, atyre që na shtynë të ëndërrojmë drejtë pavarësisë” – ka thënë Abdixhiku.
“Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje s’mbahet sot nuk do të mbahet as nesër. Sikur liria edhe aleancat tona nuk trashëgohen ato fitohen, ruhen mësohen e dorëzohen tek brezat e tjerë. Si gjeneratë e politikës së sotme, e kemi obligim, si sjellje fisnike që këto aleanca të ua mësojmë brezave që vijnë, sepse kështu na mësuan prijësit tanë. Aleatëve tanë ua shtrijmë dorën e mirësinë. Sot në ditëlindjen e 16 Kosova është e bekuar që është përkrah aleatëve” – tha kryetari i LDK-së.
Gjatë fjalës së tij, Abdixhiku ka përmendur edhe kontributin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Në mënyrë të veçantë në këtë ditë e nderojmë me vlerësimin më të epërm, kryetarin e LDK-së dhe presidentin historik të vendit, Dr. Ibrahim Rugovën vizioni i tij u bë realitet në vitin 1999” – tha ai.
“Në këtë ditë shprehim mirënjohjen tonë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atyre burrave dhe grave që luftuan për pavarësinë tonë. Kujtojmë sakrificën e Jasharajve, nderojmë dëshmorët e viktimat e luftës” – ka deklaruar Lumir Abdixhiku.
Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.
Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.
Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.